Federer eliminohet nga turneu i Madrid, Djokovic në gjysmëfinale pa luajtur

Tenis

Federer eliminohet nga turneu i Madrid, Djokovic në gjysmëfinale pa luajtur

Më: 10 maj 2019 Në ora: 20:15
Roger Federer

Tenisti zviceran Roger Federer është eliminuar sot pasdite nga turneu Masters i Madridit, pas humbjes 2-1 në çerekfinale ndaj austriakut Dominic Thiem (3-6, 7-6, 6-4).

Edhe pse Federer fitoi me lehtësi setin e parë, ai humbi në “tie break” setin e dytë, për të lëshuar më pas terren në të tretin.

Ky ishte turneu i parë i zviceranit në fushat me dhè pas tri vitesh dhe Federer kishte deklaruar se nuk kishte ndonjë objektiv konkret, pasi synonte të testonte veten pas kaq kohësh mungesë në këtë sipërfaqe. Në Madrid, Federer korri dy fitore dhe 1 humbje, duke mos shkuar dot në gjysmëfinale.

Një biletë në gjysmëfinale preu sot serbi Novak Djokovic. Numri 1 në botë avancoi pa luajtur, pasi rivali i tij, kroati Marin Cilic, u tërhoq i dëmtuar.

Në garë për një vend në gjysmëfinale janë edhe Rafael Nadal (luan ndaj Wawrinka në çerekfinale) si dhe Alexander Zverev (luan ndaj Tsitsipas në çerekfinale). T.S

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat