Roland Garros/ Nadal nuk njeh kufij, triumfon për herë të 12-të

Tenis

Roland Garros/ Nadal nuk njeh kufij, triumfon për herë të 12-të

Më: 10 qershor 2019 Në ora: 10:55
Rafael Nadal

Parisi është shtëpia e dytë e Rafael Nadal. Tenisti Spanjoll shkruan një tjetër faqe të historisë së tenisit botëror teksa triumfon në turneun e dytë Grand Slam të vitit, Roland Garros për të 12 herë në karrierën e tij.

33-vjeçari me këtë sukses bëhet akoma më legjendar, pasi është i pari tenist në histori për femra e meshkuj që arrin të fitojë të njëjtin turne Grand Slam 12 herë, duke lënë pas një emër të madh si Margaret Court që ka fituar Australian Open 11 herë. Për Nadal titulli i fituar në Roland Garros ishte i 18 në karrierë dhe tani iberiku është vetëm 2 tituj prapa rivalit të tij historik Roger Federer që është me 20 tituj Grand Slam.

Statistikat janë akoma më domethënëse për Nadal që ka regjistruar 260 ndeshje të fituara në turnetë Grand Slam dhe 950 në të gjithë karrierën e tij. Finalja ndaj Dominic Thiem tregoi sërish se Nadal nuk ka rivalë në tokën e kuqe pariziene. Spanjolli e mposhti austriakun me të cilin diskutoi këtë finale edhe në 2018, me rezultatin 3-1 në një ndeshje ku pikët spektakolare nuk munguan nga asnjë prej tenistëve, por ishte Nadal që mori më të mirën.

6-3 ishte rezultati i setit të parë për Nadal, ndërkohë që Thiem iu kundërpërgjigj duke fituar të dytin 7-5.

Më pas 25 vjeçari u duk se filloi të ndjente lodhjen e gjysmëfinales me Djokovic, ndërsa Nadal shtoi ritmin në lojën e tij duke fituar edhe dy setet e tjerë 6-1;6-1 dhe krejt ndeshjen 3-1 për të festuar suksesin e radhës në tokën franceze ku ka luajtur 12 finale me 12 fitore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat