Legjenda Roger Federer fiton trofeun e 102-të në karrierë

Tenis

Legjenda Roger Federer fiton trofeun e 102-të në karrierë

Më: 23 qershor 2019 Në ora: 21:11
Roger Federer

Roger Federer siguroi titullin e 10-të në Halle, teksa mundi në finale tenistin belg David Goffin. Halle u bë kështu turneu më i suksesshëm në karrierë për veteranin zviceran në aspektin e trofeve, duke lënë kështu prapa 9 titujt në Bazel, nga 8 triumfe respektivisht në Wimbledon e Dubai si dhe 7 turnetë e fituar në Cincinnati.

37-vjecari nga Bazeli, që kishte fituar 7 nga 8 përballjet ndërmjet tyre, u mbijetoi sulmeve të numrit 33 të botës në setin hapës dhe pasi zhvilloi një tie break perfekt ia doli mbanë për të mbyllur gjithçka në vetëm dy sete.

Goffin shpërdoroi mundësi shumë të mira në shërbimet e Federerit, fillimisht në game-n e pestë, kur kryesoi 0-40, dhe më pas në game-n e shtatë, kur e pa veten në epërsinë 0-30, sidoqoftë numri 3 i botës e mblodhi veten dhe arriti ta cojë setin deri në tie break. Deri në ato momente gjithçka ishte në baraspeshë, 36-36 me pikë dhe 17-17 sa i përket pikëve të marra në pjesën fundore të fushës, gjithsesi tenisti helvet nuk gaboi më asgjë e përfitoi edhe nga gabimet e shumta të 28-vjeçarit nga Liezhi për të mbyllur llogaritë e setit hapës 7-2 në tie break.

Në setin pasardhës gjërat u vendosën pak a shumë që në game-n hapës, praktikisht game më i gjatë i takimit. I nervozuar nga humbja e një seti, të cilin e luajti më mirë sesa Roger Federer për pjesën më të madhe të kohës, David Goffin shkaktoi plot 3 gabime në shërbim dhe veterani zviceran përfitoi duke i rrëmbyer menjëherë shërbimet tenistit nga Liezhi. Ishte hera e parë pas një ore lojë që Roger e theu më në fund në servis kundërshtarin e tij dhe që nga ai moment tenisti nga Bazeli e përsëriti këtë gjë edhe në dy raste të tjerë për të përfunduar gjithë ndeshjen me rezultatin 7-6, 6-1.

Trofeu në Halle është i dyti me vlerën e 500 pikëve për këtë vit për numrin 3 të botës, pas atij të koleksionuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, por njëkohësisht edhe titulli i tretë gjithsej për këtë sezon për tenistin helvet pas turneve të fituar në Dubai dhe Miami. Kjo ishte fitorja e 68 në Halle në karrierë dhe natyrisht duke lënë mënjanë turnetë e Grand Slam-it, Roger Federer numëron më shumë vetëm në qytetin e tij të lindjes, Bazel 71, ndërkaq 37-vjecari u ngjit në kuotën 23 përsa i përket turneve me vlerën e 500 pikëve të fituar në karrierrë, pra 3 më tepër sesa ndjekësi i tij më i afërt, që vazhdon të mbetet Rafael Nadal.

Tenisti belg që gjatë javës eliminoi me radhë emra të tillë si Alexander Zverev dhe Matteo Berrettini do të përmirësohet ndjeshëm, duke u ngjitur nga vendi i 33 në klasifikimin e përgjithshëm ATP për t’u katapultuar shumë pranë 20-es së parë të botës. Që pas dëmtimit në sy në Rotterdam, në shkurtin e vitit 2018, Goffin pësoi një rënie në rezultate duke humbur 6 gjysmëfinale radhazi, sidoqoftë finalja në Halle ishte e dyta për 28-vjeçarin nga Liezhi në karrierë në fushat me bar, pas disfatës që tenisti belg pësoi katër vjet më herët në Hertogenbosch nga francezi Nicolas Mahut, për më tepër Goffin nuk fiton një trofe prej 20 muajsh, që nga turneu i Tokios.

Në krahun tjetër tenisti zviceran përfitoi çekun e majmë prej 430.000 eurosh dhe për Federerin ky është titulli i 102-të në karrierën si profesionist, vetëm 7 trofe poshtë të madhit Jimmy Connors, gjithsesi me pikët e përfituara në Gjermani ditën e hënë tenisti helvet do ta shikojë veten në renditjen botërore vetëm 325 pikë larg vendit të dytë, që mbahet nga spanjolli Rafael Nadal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat