Federer hakmerret ndaj Djokovic për Wimbledon, shkon në gjysmëfinalet e Londrës

Tenis

Federer hakmerret ndaj Djokovic për Wimbledon, shkon në gjysmëfinalet e Londrës

Më: 15 nëntor 2019 Në ora: 09:28
Roger Federer, Novak Djokovic

Roger Federer fitoi 2-0 (6-4, 6-3) ndaj Novak Djokovic, në ndeshjen e fundit të grupit Bjorn Borg, të vlefshme për finalet e ATP Championship (përballë ishin numrat 2 dhe 3 në botë). Në këtë turne marrin pjesë 8 tenistët më të mirë në botë, të ndarë në dy grupe.

Kjo ishte ndeshja e parë që dy tenistët luanin që pas finales së Wimbledon (pat fituar Djokovic). Këtë herë, Federer bëri një ndeshje të përkryer, duke e dominuar lojën në të dyja setet dhe arriti të fitojë më meritë (ndeshja zgjati 1 orë e 13 minuta). Zvicerani ishte perfekt, duke eliminuar rivalin serb.

Sukses që kualifikon tenistin zviceran në gjysmëfinalet e këtij turneu. Në takimin tjetër të këtij grupi, italiani Matteo Berrettini mundi 2-0 (7-6, 6-3) austriakun Dominic Thiem. Pavarësisht fitores, italiani është eliminuar, teksa Thiem e kishte siguruar që më parë gjysmëfinalen.

Sot luhen ndeshjet e treta edhe në grupin Andre Agassi. I kualifikuar në gjysmëfinale është greku Stefanos Tsitsipas, që sot do të përballet me Rafael Nadal, të cilit i duhet fitorja. Ndeshja tjetër është ajo mes Daniil Medvedev dhe Alexander Zverev.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat