Tenisti suspendohet përjetë për kurdisje - Bota Sot
Tenisti suspendohet përjetë për kurdisje

Tenis

Tenisti suspendohet përjetë për kurdisje

Më: 4 maj 2020 Në ora: 23:17
Egjiptiani Youssef Hossam

Egjiptiani Youssef Hossam është përjashtuar përjetë nga tenisi pasi është shpallur fajtor për kurdisje të shumëfishtë të ndeshjeve dhe thyerje tjera të rregullave që kanë të bëjnë me korrupsionin, është bërë e ditur të hënën nga Njësia për Integritet në Tenis (TIU).

Një hetim i TIU ka zbuluar që 21-vjeçari ka bërë 21 shkelje të rregullave të anti-korrupsionit prej vitit 2015 deri në vitin 2019. Ai ka bashkëpunuar me të tjerë për të realizuar një fushatë të korrupsionit të lidhur me baste në nivelet më të ulëta të tenisit profesional.

Hossam, që ishte suspenduar përkohësisht nga tenisi në maj të vitit të kaluar, ka kurdisur tetë ndeshje. Në dy raste u ka kërkuar lojtarëve tjerë që mos të japin më të mirën ndërsa në disa raste tjera ka ndihmuar bastoret.

Është shpallur fajtor edhe për vepra tjera.

“Hossam tani përjashtohet nga garimi apo marrja pjesë në ndonjë ngjarje të tenisit të organizuar apo të njohur nga organet drejtuese të sportit”, thuhet nga TIU.

Hossam në dhjetor 2017 kishte arritur pozitën më të lartë në ranglistë, atë 291. Vëllai i tij i madh, Karim Hossam, është përjashtuar nga tenisi për kurdisje të shumëfishta në vitin 2018.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat