E veçantë, ka 8 gishta por arrin të kualifikohet

Tenis

E veçantë, ka 8 gishta por arrin të kualifikohet

Më: 14 janar 2021 Në ora: 12:03
E veçantë, ka 8 gishta por arrin të kualifikohet

Tenistja 20-vjeçare britanike Francesca Jones ka arritur të mposhtë sëmundjen dhe të bëjë realitet ëndrrën e saj. Numri 241 i renditjes botërore për femra në tenis është kualifikuar për në grand slam të Australian Open, që zhvillohet më 8 shkurt në Melburn.

Jones vuan nga sindroma “displasia ectodermica ectrodattilia” (anomali gjenetike e zhvillimit embrional, që godet ekstremet e kockave). Ajo ka lindur me 4 gishta në secilën dorë, me 3 gishta në këmbën e djathtë dhe 4 në të majtën, shkruan telesport.

Pavarësisht kësaj, ajo luan normalisht tenis dhe pak ditë më parë mori pjesë në kualifikueset e Australian Open, që u zhvilluan në Dubai. Në këto eliminatore, Jones mposhti rivalen rumune Monica Niculescu (nr.144 në botë), kroaten Jana Fett (nr.209 në botë) dhe në fund kinezen Jia-Ling Lu (nr.200 në botë).

Britanikja i është nënshtruar mjaft operacioneve dhe sporti dukej si një rrugëtim i pamundur për të. “Gjithnjë kam thënë se kënaqësitë më të mëdha në jetë janë ato kur arrin të bësh ato gjëra që të tjerët thonë se nuk mund t’i realizosh”, tha Jones, pas kualifikimit në Australian Open.

“Mjekët më kanë thënë se nuk mund të luaja kurrrë tenis, por nga ai moment jam stërvitur shumë për të treguar se ata gaboheshin. Kur të thonë se nuk mund t’ia dalësh mbanë, ti impenjohu dhe bëje. Unë jetoj në këtë mënyrë. Kam një anomali gjenetike të rrallë në botë, por mendoj se kjo gjë nuk mund të më limitojë të arrij ato që dua”, tha tenistja britanike Francesca Jones.

Tashmë tenistja ka 3 javë kohë për t’u shplodhur, përqendruar dhe stërvitur për debutimin në Australian Open, turneu i parë i madh i karrierës së saj. “Do të përqendrohem vetëm aty, pa i dhënë shumë rëndësi asaj që thonë të tjerët”, tha Jones.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat