Roland Garros shtyhet me një javë

Tenis

Roland Garros shtyhet me një javë

Më: 8 prill 2021 Në ora: 16:41
Roland Garros shtyhet me një javë

Turneu i madh i Grand Slam-it në Roland Garros do të shtyhet me një javë. Drejtuesit e Slam-it Francez vendosën që të shtyjnë me 7 ditë edicionin e sivjetshëm të turneut të famshëm parizen, me synimin për të patur më shumë spektatorë të pranishëm nëpër shkallët e stadiumeve.

Edicioni i kaluar i vitit 2020 u kushtëzua ndjeshëm nga pandemia e koronavirusit dhe të gjitha ndeshjet u ndoqën nga një maksimum i mundshëm prej vetëm 1.000 spektatorësh.

Tani organizatorët shpresojnë shumë që gjërat të përmirësohen dhe në edicionin e sivjetshëm të Roland Garros-it të ketë një pjesëmarrje masive. Edicioni i 124 u zhvillua në një periudhë krejtësisht të pazakontë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, nga 27 shtatori deri më datën 11 tetor dhe vitin e kaluar triumfuan spanjolli Rafael Nadal te meshkujt dhe tenistja polake Iga Swiatek.

Këtë radhë drejtuesit kishin planifikuar datën 23 maj për startin e edicionit të sivjetshëm, datë që bie ndesh me masat shtrënguese të marra nga Qeveria Franceze, kështu që organizatorët vendosën që edicioni I 125 të zhvillohet nga 30 maji deri më datën 13 qershor, ndërkaq ndeshjet kualifikuese do të luhen një javë më herët.

Franca është duke përjetuar izolimin e tretë të plotë në të gjithë vendin, për arsye të përshkallëzimit të situatës së pandemisë së koronavirusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat