Arifi: Viti 2019 është vit i projekteve kapitale në Tetovë

Tetova

Arifi: Viti 2019 është vit i projekteve kapitale në Tetovë

Më: 29 dhjetor 2018 Në ora: 08:25
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në fjalimin e saj vjetor ka folur rreth punëve që janë realizuar gjatë vitit që po e lëmë pas dhe është fokusuar në punët që e presin komunën në të ardhmen.

“Një nga projektet më të rëndësishme është edhe fillimi i ndërtimit të urës në rrugën Shipkovicë-Brodec, projekt ky në vlerë prej 7.5 milionë denarë e që financohet pjesërisht nga Byroja për Zhvillim Rajonal dhe kofinancim nga Komuna e Tetovës. Në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit Jetësor, nënshkruam kontratën për ndarje të mjeteve financiare në lartësi prej 5 milionë denarësh, me të cilat do të bëhet projektimi dhe përgatitja e dokumentacionit teknik për ndërtim të sistemit të kanalizimit dhe trajtimit të ujërave të zeza në fshatrat e Malësisë së Tetovës”, tha Arifi. Ajo përmendi edhe disa investime që janë bërë në sferën e infrastrukturës.

“Këtë vit ne filluam dhe finalizuam disa nga projektet infrastrukturore të cilat janë shumë të rëndësishme për funksionimin e përgjithshëm të qytetit. Arritëm të asfaltojmë dhe rikonstruojmë rrugën Murat Baftijari, me vendosjen e ndriçimit publik, ndërrimin e tërësishëm të rrjetit të ujësjellësit, si dhe vendosjen nëntokësore të rrjeteve elektrike dhe të telekomunikacionit. Në pranverën e vitit që vjen, do të finalizojmë edhe rregullimin e trotuareve të kësaj rruge, e cila ka një rëndësi të veçantë ekonomike për qytetin, si qendër e veprimtarive artizanale. Paralelisht me këtë përfunduam edhe Urën e Kazazëve që lidh 2 anët e lumit Shkumbin dhe sot është një vlerë e shtuar për sa i përket qarkullimit sa më efikas të automjeteve dhe qytetarëve në këtë pjesë të qytetit. Duke respektuar të drejtën e qytetarëve për shtigje të sigurta kalimi, realizuam rikonstruimin me pllaka bekatoni të trotuareve në afërsi të shkollës së mesme Tekstile, një pjesë të bulevardit qendror dhe bulevardit ‘Bllagoja Toska’. Gjithashtu, vendosëm edhe ndriçim publik, ulëse dhe kosha për mbeturina. Brenda vitit që lëmë pas, vendosëm më shumë se 500 shtylla hekuri në rrugët qendrore të qytetit me të cilat kthyem trotuaret dhe shtigjet e kalimit në shërbim të këmbësorëve”, u shpreh kryetarja Arifi, duke folur për qeverisjen e saj njëvjeçare në mandatin e dytë. Sipas saj, brenda këtij viti u arrit të ngritet institucionalisht veprimi i Inspektoratit të Komunës së Tetovës.

“Brenda vitit, ky sektor kreu me sukses mbi 471 inspektime, shqiptoi 113 dënime, inicoi 22 procedura për kundërvajtje dhe 35 ndalesa veprimi. Një bilans i tillë i punës i cili lë për të dëshiruar, është padyshim rezultat i një mentaliteti tashmë të pjekur institucional, që njeh profesionalizmin dhe qasjen joselektive si vlera të vetme me të cilat mundemi ta duam dhe njohim si shembull qytetin dhe komunën tonë! Gjithashtu dua të theksoj se brenda këtij viti, Sektori për urbanizëm dhe menaxhim të tokës ndërtimore ka procesuar mbi 16.000 lëndë, që janë në funksion të zhvillimit të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm urban. Një planifikim korrekt urbanistik është padyshim parakushti kryesor mbi të cilin duhet të mbështetet zhvillimi dhe rritja e një qyteti me tendenca të theksuara ekspansive si Tetova”, u shpreh ajo. Kryetarja Arifi është shprehur se viti 2019 do të jetë vit i investimeve infrastrukturore.

“Viti 2019 do ta gjejë Tetovën me bulevarde dhe rrugë të reja. Banka Botërore miratoi projektin për vazhdimin e bulevardit të rrugës Industriale në gjatësi prej 670 metra, që do të depërtojë përmes Qendrës sportive deri tek Kazerma e Qytetit për të shkarkuar sadopak trafikun e ngarkuar brenda qytetit. Gjithashtu do të vazhdojmë depërtimin e bulevardit Blagoja Toska për të cilin në fazën e parë jemi në përfundim të procesit të eksproprimit. Për funksionalizimin e Ndërmarrjes Komunale për Transport Publik, kemi aplikuar në programin MSIP-2, përmes të cilit do të furnizojmë gjashtë autobusë me standarde bashkëkohore ekologjike. Kështu, Tetova përfundimisht do të bëhet me transport të organizuar publik, që padyshim do të reduktojë efektet negative të ndotjes së ajrit ambiental dhe trafikun e stërngarkuar në qytet, duke ofruar kështu një alternativë qarkullimi ekonomikisht të volitshme për të gjithë qytetarët. NPK Tetova, vitin që vjen do të fillojë ndërtimin e Qendrës së mbyllur për seleksionim sekondar të mbeturinave, që pritet rrisë rentabilitetin ekonomik të ndërmarrjes si dhe kualitetin e shërbimeve komunale për qytetarët”, deklaroi Arifi.

Në fund, ajo njoftoi edhe për projekte tjera për Tetovën, si përfundimi i projektit ideor për gazifikim, ku në tetor të vitit 2019 pritet të përfundojë edhe projekti themelor për gjithsej 25 km rrjet sekondar brenda qytetit, realizimi praktik i të cilit parashihet të fillojë në vitin 2020.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat