Universiteti i Tetovës dhe Universiteti "Kadri Zeka" vazhdojnë bashkëpunimin

Tetova

Universiteti i Tetovës dhe Universiteti "Kadri Zeka" vazhdojnë bashkëpunimin

Më: 20 mars 2019 Në ora: 13:50
Universiteti i Tetovës dhe Universiteti "Kadri Zeka"

Bashkëpunimi i deritanishëm mes Universitetit “Kadri Zeka” nga Gjilani i Republikës së Kosovës dhe Universiteti i Tetovës, ka qenë në nivel dhe se i njëjti duhet të vazhdojë mes dy institucioneve të arsimit të lartë me qëllim lehtësimin e lëvizjes së kuadrove të mësimdhënësve, por edhe të studentëve, si dhe organizimit të përbashkët dhe pjesëmarrjes në seminare, kurse, konferenca dhe projekte të ndryshme kërkimore – shkencore me karakter ndërkombëtar, u konkludua në takimin e djeshëm mes delegacionit universitar kosovar të kryesuar nga Rektori Bajram Kosumi dhe rektorit të UT-së, Vullnet Ameti.

Ameti, tha se Universiteti i Tetovës përveç bashkëpunimit që ka me shumë universitete ndërkombëtare, rëndësi të posaçme i kushton edhe bashkëpunimit me universitetet shqiptare nga vendi, Shqipëria dhe Kosova duke i kushtuar vëmendje shkëmbimit reciprok të kuadrit të stafit akademik, studentëve, si dhe shkëmbimit të ndërsjellë të informacioneve arsimore dhe shkencore.

Ndërsa Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” nga Gjilani, Bajram Kosumi, e falënderoi atë dhe ekipin e tij për mikpritjen si dhe bashkëpunimin korrekt që kanë treguar deri më tani. Ai mes të tjerash shtoi se Universiteti “Kardi Zeka” si një universitet i ri për nga mosha, ka nevojë për përvojat dhe eksperiencat e Universitetit të Tetovës si në veprimtarinë arsimore – shkencore, por edhe në atë të bashkëpunimit ndërinstitucional me universitetet tjera nga vendi, rajoni dhe bota.

Pas përfundimit të takimit, siç informojnë nga shërbimi informativ i UT-së, dy rektorët shkëmbyen dhurata mes tyre dhe bashkërisht vizituan edhe disa laboratorë: atë të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, laboratorin e kimisë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore si dhe laboratorin e ndërtimit në Fakultetin e Shkencave të Zbatuara.

Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Kadri Zeka” për herë të parë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fillim të majit të vitit 2015.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat