Në Universitetin e Tetovës u debatua për sfidat e zhvillimit ekonomik të Kodrës së Diellit

Tetova

Në Universitetin e Tetovës u debatua për sfidat e zhvillimit ekonomik të Kodrës së Diellit

Më: 11 prill 2019 Në ora: 18:51
Në Universitetin e Tetovës u debatua për sfidat e zhvillimit ekonomik të Kodrës së Diellit

Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tetovës, dje, 10 Prill, ka organizuar debatin “Sfidat e zhvillimit ekonomik të destinacionit turistik të Kodrës së Diellit” ku është debatuar mbi problemet dhe zgjidhjet e mundshme të problemeve të Kodrës së Diellit.

Në debat u tha se edhe pse strategji të shumta për zhvillim të turizmit në nivel nacional kanë identifikuar probleme, vështirësi mjaft komplekse, përsëri fitohet përshtypja se Kodra e Diellit praktikisht nuk është trajtuar në nivel të duhur.

“Debati i sotëm ka për qëllim që të shkojë një hap përpara në drejtim të identifikimit të problemeve dhe assesi nuk synon alokim të fajësisë. Vëmendja duhet të jetë e përqendruar në identifikimin e alternativave të reja për tejkalimin e vështirësive dhe gjetjen e mundësive për shfrytëzimin më efikas dhe mbi të gjitha më racional të asaj që realisht mund të ofrojë Kodra e Diellit”, u shpreh prodekania e Fakultetit Ekonomik, Aida Yzeiri.

Gjithashtu, në debat u tha se qendra turistike Kodra e Diellit duhet të jetë konkurruese në treg dhe të përbëjë motor zhvillimi për zonën. Autoritetet duhet që sa më parë të bëjnë zgjidhjen e problemeve pronësore juridike, si dhe të investojnë në një studim të produktivitetit, apo fizibilitetit nga ana e qeverisë, pa pjesëmarrjen e subjekteve të cilat janë në konflikt interesi.

“Duhet të hartohet plan strategjik në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe zgjedhja e një modeli zhvillimi, apo implementimi i një modeli, i cili është i suksesshëm në një zonë tjetër me karakteristika të përafërta, përfshirë hartimin e një plani urbanistik të detajuar, si dhe ndërtimin e infrastrukturës moderne të komunikacionit. Po ashtu, duhet të kihet parasysh vënia në funksion e teleferikut e kështu me radhë”, tha Sali Zhaku.

Pjesëmarrësit në debat ishin nga sfera të ndryshme, biznesmenë dhe aktivistë, profesorë dhe përfaqësues të ELEM TURS. Në këtë debat, këndvështrimet e tyre rreth zhvillimit ekonomik të Kodrës së Diellit i paraqitën edhe kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha, drejtori i ELEM Turs-it, Xhemaili Jusufi, afaristi Ibrahim Dehari, përfaqësuesi i organizatës joqeveritare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, Hamdi Sulejmani,përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë, Shovket Hazari, si dhe profesorët e Universitetit, Petrit Pollozhani dhe Etem Iseni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat