Tetovë, viti shkollor fillon me plot harxhime

Tetova

Tetovë, viti shkollor fillon me plot harxhime

Më: 5 shtator 2019 Në ora: 18:11
Ilustrim

Me fillimin e vitit të ri shkollor, është rritur dukshëm interesimi i prindërve për të furnizuar fëmijët me pajisjet e nevojshme për në shkollë. Si zakonisht, më shumë prindërit kërkojnë fletore, çanta, lapsa, ngjyra, goma, fletore pune e kështu me radhë.

Nga libraria “Rilindja” në Tetovë, theksojnë se ka interesim të madh të prindërve në këtë periudhë. Çmimet e çantave dhe pajisjeve tjera ndihmëse janë më të lira në krahasim me vitet e kaluara por njëkohësisht varet edhe nga cilësia që ka fletorja, apo çanta.

Në libraritë e Tetovës thonë se çmimet janë të pranueshme për të gjithë, pasi që oferta është më e gjerë, dhe çmimet janë të pranueshme edhe për shtresën me të ardhura më të vogla. Fletoret fillojnë nga 10 denarë e më lartë, ndërsa çmimi i lartë është për çantat të cilët fillojnë nga 10 euro, varësisht nga cilësia e materialit. Krahas librave të cilët ndahen falas nga ana e Ministrisë së Arsimit, prindërit duhet të blejnë lapsa, goma, fletore, ngjyra, çanta dhe veshmbathje.

“Si përherë, ditët e fundit para fillimit të vitit shkollorë janë më shumë të frekuentuara nga prindërit. Sa i përket çmimeve, ata janë pothuajse të njëjta me vitet e kaluara, mund të them se çmimet nuk janë rritur, por janë ulur. Kështu për shembull çantat i kemi edhe me çmime më të ulëta, por edhe ata prindër që mund të lejojnë një çantë më të mirë, normalisht se çmimi është më i shtrenjtë”, thotë Islam Abazi, nga Libraria “Rilindja”.

Libraritë së fundmi janë furnizuar me tekste dhe materiale të tjera shkollore dhe janë gati që nxënësve t’ju ofrojnë të gjitha gjësendet e nevojshme. Çmimet sipas pronarëve dhe punonjësve të këtyre librarive nuk kanë ndonjë dallim të theksuar për dallim nga vitet e kaluara. Ato janë fleksibile dhe të kapshme për qytetarët varësisht standardit në vend. “Interesimi është shumë i madh nga ana e prindërve në këtë periudhë, të cilët interesohen më shumë për fletore, lapsa, çanta, ngjyra. Çmimet mendoj se janë të arsyeshme, por nëse prindërit kanë kërkesa më të veçanta, atëherë kemi edhe me çmime të larta”, shprehen nga kjo librari.

Në shkollat fillore dhe ato te mesme në Tetovë procesi mësimorë ka filluar këtë të martë, kurse zakonisht në situatë më të palakmueshme janë prindërit dhe kryefamiljarët të cilët dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë. Me gjithë dëshirën që fëmijët të jenë të kompletuar, megjithatë edhe këtë vit, çmimet janë të larta në krahasim me rrogën dhe gjendjen ekonomike. Prindërit zgjedhin një mesatare, por edhe çmime më të ulëta.

Në këtë drejtim, prindërit edhe këtë fillim vit shkollorë do të duhet të ndajnë nga buka e gojës për të dërguar fëmijët e tyre në shkollë. Më vështirë e kanë ata që kanë nga dy e më shumë fëmijë në shkollë. Ata do të duhet të ndajnë më shumë se 200 euro vetëm për pajisje shkollore për fëmijët e tyre dhe po aq për veshmbathje. Prindërit shprehen se janë të stërngarkuar me shpenzime, sidomos kur fillon viti shkollor, pasi që duhet të sigurojnë pajisjet dhe veshmbathjet për fëmijët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat