Dizajnerja nga Tetova ndihmon qytetarët në kohën e pandemisë, prodhon maska mbrojtëse falas

Tetova

Dizajnerja nga Tetova ndihmon qytetarët në kohën e pandemisë, prodhon maska mbrojtëse falas

Më: 28 mars 2020 Në ora: 10:24
Dizajnerja nga Tetova

“Ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, është kjo thënia e Nënë Terezës e cila thërret që të bëjmë mirë, secili sipas mundësive që kemi.

E këtë thënie e kemi rastisur ditëve të fundit tek kreatorja tetovare e modës Kreshnike Iljazi, e cila duke e parë situatën kaotike në vendin tonë me pandeminë Covid-19, qepi dhe shpërndau maska mbrojtëse falas për qytetarët që kishin nevojë për to. Ajo vjen në një intervistë flet për këtë eksperiencë sa sfiduese aq edhe motivuese për të.

Njerëzit ju njohin si një dizajnere mode e cila e ka dëshmuar veten me suksese të shumta, por kush është Kreshnikja jashtë profesionit?

Jam dizajnere mode nga Tetova. Kam kryer fakultetin për dizajn mode në Shkup dhe ka një vit që kam hapur dhe atelienë time me emrin tim, mirëpo butiku si biznes ekziston që nga viti 2000 sepse paraprakisht ka punuar nëna ime si kreatore, sepse edhe ajo ka mbaruar shkollën për dizajn në Beograd. Po ashtu jam edhe profesoreshë e dizajnit në Shkollën e Mesme Tekstile në po këtë drejtim.

Keni ndërmarrë ditëve të fundit një iniciativë shumë humane, për qepjen dhe dhurimin e maskave mbrojtëse falas, si erdhi kjo ide?

Në fakt ideja erdhi spontanisht! Ishim e gjithë familja bashkë dhe normalisht tema aktuale është virusi korona, dhe në atë moment kemi menduar çfarë mund të bëjmë ne si persona nga fusha e modës që të japim kontributin tonë në tejkalimin e kësaj krize? Konkretisht donim të ndihmojmë mjekët sepse dihet që ata po përballen me mungesa të shumta të mjeteve mbrojtëse. Ideja konkrete për të nisur qepjen e maskave erdhi pasi dëgjova një mjeke e cila jepte këshilla se në rast se kemi mungesa të dorezave apo maskave mbrojtëse, atëherë ajo sugjeronte të përdoren doreza apo shalli i dimrit sepse edhe ata paskan efekt mbrojtës . Kështu edhe u bë! Maskat janë punuar me material pambuku dhe atë jo me një por me dy shtresa për një siguri më të madhe, janë shumë cilësore dhe mund të sterilizohen vetëm me hekurosje dhe të përdoren sërish.

Kush ju del në ndihmë për këtë iniciative dhe sa kanë treguar qytetarët interesim për maskat?

Ndihma e parë natyrisht më ka ardhur nga familja. Me nënën time i kemi qepur, ndërsa anëtarët e tjerë kanë dhënë kontributin e tyre secili në ndonjë punë ndihmëse. Shkuam në butik dhe analizuam se me materialin që kishim sa maska do të mund të punohen dhe doli që me materialin që e posedonim u qepën 200 maska. Unë e lajmërova iniciativën për shpërndarjen e maskave në Instagramin tim zyrtar dhe menjëherë e vërejta një përkrahje të madhe nga njerëzit dhe një interesim të jashtëzakonshëm. Të nesërmen janë shpërndarë maskat nga ora 10:00 dhe për më pak se dy orë, janë dhuruar 200 maska. Duke e vërejtur nevojën dhe interesimin e qytetarëve neve na u afrua një donator për bashkëpunim , ishte platforma online për shitje të tekstilit “Alb Lux” dhe disa donatorë privat me ndihmën e të cilëve qepëm dhe shumë maska të tjera mbrojtëse dhe u’a dhuruam qytetarëve. Falënderoj poashtu dhe vajzat vullnetare që më dolën në ndihmë si: Arta Maksuti, Fortesa Asani dhe Fatime Murati, janë vajza të rralla dhe me plot vullnet për punë.

Tashmë kur kjo iniciativë është përshëndetur nga populli, cila është përshtypja jote, a ia ka vlejtur?

Kemi punuar realisht shumë, jemi munduar shumë, por kur shoh njerëzit teksa me falënderohen, më komentojnë pozitivisht dhe më përgëzojnë për iniciativën, them se po, ia ka vlejtur!

Planet e tua për të ardhmen, mund të presim ndonjë sfilatë apo diçka të ngjashme?

Aktualisht jam duke punuar në shumë porosi fustanesh që janë porositur kohë më herët. Porositë që kishim për dasmat e muajit prill janë anuluar për shkak të virusit korona, ndërsa për maturantet akoma nuk dihet se a do të organizohet matura ose jo. E kisha në plan të marr pjesë dhe në javën e modës që mbahet në qytetin e Shkupit por edhe ai organizim u anulua për shkak të gjendjes me pandeminë Covid-19! Por, presim që gjërat t’i kthehen normalitetit. Në mbyllje të kësaj interviste unë apeloj le të rrinë në shtëpitë e tyre, le të shpenzojnë kohë me familjet e tyre dhe mos të dalin pa nevojë. Qëndrimi në shtëpi mund të jetë produktiv, le të lexojnë libra, le të jenë kreativ dhe le t’i bëjnë punët për të cilat më herët kanë thënë së nuk mund t’i bëjnë sepse nuk ju premton koha! Tashmë kohën e keni dhe shfrytëzojeni ashtu siç duhet…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat