Tetovë, bujqit ankohen për mungesën e ujit për vaditje - Bota Sot
Tetovë, bujqit ankohen për mungesën e ujit për vaditje

Tetova

Tetovë, bujqit ankohen për mungesën e ujit për vaditje

Më: 3 maj 2020 Në ora: 14:20
Foto Ilustrim

Mungesa e ujit për vaditje dhe sistemi i dëmtuar i tij, është problemi kryesor i bujqve të rajonit të Tetovës.

Mbjellim por nuk e dimë si do ia dalim, thonë bujqit, të cilët ankohen se, edhe përkundër kërkesave të shumta drejtuar organeve komunale dhe Ministrisë së bujqësisë për zgjidhjen e këtij problemi, tash e dy dekada, zgjidhje nuk ka.

“Me ndërtimin  e kësaj rruge dhe futjen e vijës së ujit nëpër gypa, bujqit thonë se iu është pamundësuar shfrytëzimi edhe i atij pak uji që kishin për vaditjen e tokave të tyre”

Bujqit madje thonë se vitin e shkuar, për pasojë të mungesës së ujit, me tonelata patate të prishura kanë hedhur në koshin e plehrave.

Me ujin për vaditje jemi shumë dobët, thonë do e hapin sivjet apo në mot, por shumë vite ka që lumi Shkumbin valon nga uji ndërsa ne me mijëra hektar tokë nuk kemi për t`i vadit poshtë Tetovës, por për pak punë aty nuk bëhet. Shumë vite na thonë do punojmë sivjet apo në mot por asnjëherë nuk e bënë. Kjo është mungesë numër një. Vjen muaji i tetë i nëntë  nuk ka pati shi kot është, vjet më se 50 ton patate kemi hedh çdo familje që ka mbjell, iu ra një sëmundje kaploi i thati dhe stagnuan mbetën aty”-tha Irfan Rushiti, bujk.

Përveç mungesës së ujit, sivjet bujqit kanë edhe shqetësimin e pandemisë. Thonë se me mbylljen e kufijve nuk e dinë se ku do të shesin prodhimet.

Krejt punojmë sikur në bingo të luajmë. Ne jemi përgatitur por s`dihet, kufijtë janë mbyllur, ne investim kemi bë boll, mbjellim nga shtate apo tetë hektar patate , misër , speca, por s`dihet deri në fund. Për momentin jemi si në bingo”-pohoi Irfan Rushiti, bujk.

Me problem serioz këtë vit po përballen edhe blegtorët. Çmimi i ulët i mishit të qengjave dhe mbyllja e kufijve për të eksportuar qengjat në Itali dhe Kroaci, bëri që ata të pësojnë humbje të mëdha. Ankohen edhe për mos marrjen e subvencioneve.

Nuk dimë çka të bëjmë shpenzimet nuk i mbulojmë dot, nuk dimë çka të paguajmë para neve, më shumë na kushton ushqimi i tyre se sa që do marrim para prej tyre”-tha Shaban Mamuti, blegtor.

Krejt i kanë marrë nga fshati im vetëm mua nuk mi kanë dhënë!  Isha në Shkup pagova bjeshkën, 200 euro taksën ua lash dokumentet, njërit ia lëshojnë njërit s`ia lëshojnë, çka është kjo punë”-pohoi Abdiladi Shabani, blegtor.

Nga Ministria e Bujqësisë thonë se gjatë majit fillon pagesa e subvencioneve të mbetura, si dhe subvencionimi i qengjave femra të cilët kanë mbetur pa u shitur shkaku i pandemisë, vlera e të cilëve, arin në 2500 denarë për qengj të ruajtur.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat