Përgjysmohet numri i aksidenteve në Tetovë

Tetova

Përgjysmohet numri i aksidenteve në Tetovë

Më: 7 maj 2020 Në ora: 15:04
Foto Ilustrim

Ora policore dhe gjendja e jashtëzakonshme ka ndikuar dukshëm në uljen e numrit të aksidenteve në rajonin e Tetovës. Nëse në muajin prill të vitit të kaluar ishin regjistruar 56 aksidente, këtë vit aksidentet janë përgjysmuar respektivisht kanë ndodhur 26. Kësaj gjendje i ka ndihmuar shumë edhe kufizimi i lëvizjeve gjatë orëve të natës , pasi që në kushte normale shumë aksidente ndodhin pikërisht në orët e vona nga vozitja me shpejtësi më të madhe se sa e lejuara. Po ashtu, gjatë muajit prill nuk ka patur asnjë viktimë në aksidentet e trafikut në rajonin e Tetovës.

“Në këto aksidente nuk ka patur viktima. Në një aksident një person ka pësuar lëndime të rënda trupore, në 11 aksidente po aq persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore, kurse në 14 aksidente ka patur vetëm dëme materiale. Dëmi në këto aksidente është përllogaritur mbi një milion denarë”, thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për punë të brendshme në Tetovë.

Të dhënat tregojnë se edhe aksi rrugor Gostivar-Tetovë është shumë i frekuentuar, ku kalojnë mbi 13 mijë vetura në ditë. Autostrada Gostivar-Shkup-Tetovë edhe në këtë periudhë vazhdon të jetë e rrezikshme për vozitësit e automjeteve që shfrytëzojnë të njëjtën. Kjo autostradë vite me radhë është më e dëmtuar në pjesën nga Gostivari për në Tetovë, ku aksidentet pothuajse janë pjesë e përditshme e kronikës së zezë për rajonin e Pollogut.

Por edhe krahas orës policore dhe kufizimeve të lëvizjeve megjithatë aksidentet sërish janë regjistruar nëpër vendbanime por edhe në rrugët e qytetit. “Numri më i madh i aksidenteve gjegjësisht 21 kanë ndodhur nëpër vendbanime, kurse 5 jashtë vendbanimeve, kryesisht nëpër rrugët e qytetit të Tetovës, respektivisht 13 edhe në autostradën Gostivar-Tetovë-Shkup, gjithsej pesë aksidente”, thotë zëdhënësi Rexhepi.

Shkaqet për këto aksidente janë vozitja e shpejtë, mos respektimi i rregullave dhe shenjave, mos mbajtja e distancës, ndërsa nga policia bëjnë të ditur se gjatë muajit të kaluar 10 udhëtarë kanë marrë lëndime në 26 aksidente. “Shkaqet më të shpeshta edhe gjatë muajit prill kanë qenë kryerja e parregullt e veprimeve në rrugë, mospërshtatja e shpejtësisë sipas kushteve në rrugë, gjegjësisht tejkalimi i shpejtësisë. Në këto aksidente numri më i madh i të lënduarve janë udhëtarë. Gjithsej 10 udhëtarë janë lënduar në muajin prill”, njoftojnë nga policia e Tetovës.

Në Tetovë, më problematike vazhdon të jetë rruga industriale, ku krahas kaosit, po ashtu kohëve të fundit janë regjistruar edhe disa aksidente me këmbësorë. Rritja enorme e numrit të automjeteve në rrugët e Tetovës, mos zgjerimi i rrugëve dekada me radhë, mospasja e vendeve të mjaftueshme të parkimit, ka bërë që Tetova me rrethinë të jetë arenë e vërtetë e aksidenteve të trafiku në këtë pjesë të qytetit. Njohës të rrethanave të komunikacionit pohojnë se Tetova është e stërngarkuar me vetura në këto dhjetë vitet e fundit, kurse nuk janë hapur rrugë të reja dhe i tërë komunikacioni zhvillohet në të njëjtat rrugë si edhe më herët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat