Themelimi i Universitetit të Tetovës shembi epërsinë e etnitetit maqedonas ndaj etnitetit shqiptar

Tetova

Themelimi i Universitetit të Tetovës shembi epërsinë e etnitetit maqedonas ndaj etnitetit shqiptar

Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 10:39
Fadil Sulejmani

Selam SULEJMANI – Në mbarë botën, popujt e qytetëruar mburren dhe krenohen për asetet e tyre kombëtare. Zhvillimin dhe emancipimin kombëtar, pjesa dërmuese e popujve të qytetëruar ia dedikojnë arsimit, hulumtimit shkencor, kulturës perëndimore dhe kreativitetit artistik.


Vlerat perëndimore, si vlera universale, shtete të ndryshme i kanë përqafuar në kohë të ndryshme, prandaj edhe zhvillimi dhe përparimi shoqëror nuk ka përparuar kudo me ritme të njëjta.
Populli ynë trashëgon një kulturë të lashtë pellazgo-ilire, gjë që është
vërtetuar nga studime serioze si dhe nga botime e kronika historike që dëshmojnë për vlerat dhe virtytet e shqiptareve në trojet e tyre etnike.


Pavarësisht padrejtësive historike, trysnive të egra, diskriminimit në të gjitha fushat e jetës, si në edukim, në arsimim, në shkencë, në kulturë, në art etj., të ushtruara ndër dekada ndaj nesh, në çastet historike vendimtare, populli shqiptar, kudo në trojet e veta etnike historike, ideal e ka pasur veprimin për të ardhmen.


Qytetarët shqiptarë, me veprimet e tyre të cilat gjithmonë kanë qenë në frymën e tendencës historike, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në përmbysjen e sistemeve diktatoriale dhe në shembjen e perandorive totalitare dhe pushtuese.
Janë me qindra ngjarje që e pasqyrojnë më së miri sakrificën sublime, mbështetjen e gjerë popullore, vendosmërinë për ndryshime dhe përparimin tonë kombëtar.
Në këtë mori ngjarjesh me karakter historik, themelimi i Universitetit të Tetovës në vitin 1994 nga Prof. Dr. Fadil Sulejmani dhe nga inteligjencia shqiptare e kohës, shënon pa dyshim fillimin e veprimtarisë arsimore dhe shkencore në këto troje të lëna në errësirë. Në një shtet ku respektohen parimet e demokracisë, arsimimi i brezave dhe hulumtimi shkencor do të ishte një detyrë parësore e një universiteti, por Universiteti i Tetovës, kjo vatër e dritës dhe ky tempull i diturisë, krahas ngritjes së brezave të tërë në gjuhën shqipe, mori përsipër edhe kryerjen e ndryshimeve të gjithëmbarshme.
Fillimi i pluralizmit politik në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, sot Republika e Maqedonisë së Veriut, në vitin 1991, ishte një farsë e llojit komunist, përkundur faktorit ndërkombëtar që ishte vënë në lëvizje për ndryshim sistemi në këtë pjesë të Ballkanit perëndimor. Asnjë sistem politik në histori nuk ka ndryshuar, po qe se nuk i ka pasur në vijën e parë të frontit politik studentët, përkatësisht universitetet. Lëvizjet studentore kudo në botë, po ashtu edhe në vendin tonë, kanë sjellë ndryshime kolosale që kanë lënë gjurmë në histori.
Muaji dhjetor njihet si muaji i forcës studentore, i lindjes së shpresës dhe afirmimit të vlerave proevropiane dhe properëndimore.


Që nga themelimi i tij në dhjetor të vitit 1994, UT-ja u bë adresë kryesore, dritare e artikulimit të drejtë të kërkesave themelore të kombit shqiptar në këto hapësira. Ky projekt serioz e ambicioz, arsimor e shkencor, i padëgjuar më parë, por që bëri bujë, shembi një herë e përgjithmonë epërsinë e bashkësisë etnike maqedonase ndaj bashkësisë etnike shqiptare.
Ky projekt që kontestohej nga regjimi i brendshëm, por që mbështetej nga faktori i jashtëm, i dha fund marrëzisë së një sistemi diskriminues, të pashembullt për botën e qytetëruar.
Vetëm një universitet, si Universiteti i Tetovës, me orientim dhe fizionomi të qartë euro-atlantike, do t’i përballonte sulmet policore e politike, shantazhet e komplotet nga më të ndryshmet dhe në fund do të triumfonte ndaj padrejtësive të kryera mbi baza etnike. Politikës restriktive në lëmin e arsimit ndaj shqiptarëve, këtu në Maqedoni, me themelimin e Universitetit të Tetovës, do t’i vinte fundi.
Etnia shqiptare në trojet e veta etnike në RMV, e ballafaquar edhe me proceset e tjera historike që kishin të bënin me riafirmimin e ngjarjeve të mëdha historike, siç ishin Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe (1908), Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878), Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912), më vonë me luftërat e lavdishme të UÇK-së në Republikën e Kosovës, të UÇK-së në Maqedoni, të UÇPMB-së, në Kosovën lindore – themelimin dhe funksionimin e Universitetit të Tetovës e mbështeti me tërë qenien e vet. Ishin qytetarët shqiptarë nga vendi dhe më gjerë që dhanë gjithçka për këtë institucion që u bë katalizatori i ndryshimit të gjithçkaje. Rritja, zhvillimi dhe përparimi i tij ka në themele gjakun e dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Eminit, vizionin dhe sakrificën e themeluesit dhe të rektorit historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit dhe vendosmërinë e gjeneratave të para.
Këta djem dhe vajza ndoqën studimet në shtëpitë, në objektet dhe në godinat e qytetarëve tanë, që u shndërruan në mësonjëtore të Universitetit. Në këtë përvjetor të 26-të me radhë, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje, Universiteti i Tetovës i ka vendosur mbishkrimet për kontributin e jashtëzakonshëm, e deri në legalizimin e tij në vitin 2004. Në një vend të zhvilluar ku çmohet edhe kontributi më minimal i qytetarit, këto objekte do të shpalleshin dhe do të regjistroheshin në listën e monumenteve kulturore të rendit të parë. Le të shpresojmë se në të ardhmen, organet përkatëse do ta kryejnë detyrën e tyre shtetërore ndaj këtyre “mësonjëtoreve” ku ligjëruan një plejadë e njohur profesorësh, sikurse dikur pishtarët e arsimit shqip të vitit 1941 të përzgjedhur nga Ernest Koliqi.
Kjo vatër e dritës dhe diturisë, me reputacionin dhe imazhin që tashmë gëzon në rajonin tonë dhe në arenën ndërkombëtare, ka ditur t’i respektojë dhe t’i vlerësojë institucionet me të cilat bashkëpunon, por edhe personalitetet e njohura nga fusha të ndryshme jetësore.
Për kontributin dhe meritën e jashtëzakonshme në mbrojtje të çështjes dhe të vlerave kombëtare, për angazhimin e përhershëm në mbrojtje të lirisë, të demokracisë dhe të dinjitetit njerëzor, për orientimin drejt vlerave perëndimore dhe për mbështetjen e përhershme të Universitetit të Tetovës, këtë vit (17.12.2020), do t’i ndahet titulli Doctor Honoris Causa, z. Ali Ahmetit, sikundër në të kaluarën, me këtë motivacion është laureuar ish-presidenti i Shqipërisë, z. Bamir Topi, ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe shumë personalitete të tjera politike, arsimore e shkencore, me në krye nobelistin me prejardhje shqiptare, Ferid Murad.
Historia e themelimit dhe veprimtaria intensive në gati tri dekada e këtij institucioni të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, vlerësohet se përgjithësisht i ka përmbushur shpresat dhe dëshirat e qytetarëve dhe të studentëve tanë, e sidomos të mbështetësve kryesorë – miqve tanë amerikanë. Duhet theksuar se UT-ja e nënshkroi marrëveshjen e parë të bashkëpunimit me Universitetin e “Xhorxh Uashingtonit”.
Rasti i UT-së dëshmon se politika e jashtme e SHBA-së përkrah vetëm projekte që janë në lartësinë e investimit – mbështetjes së tyre.
Studentët, profesorët dhe të gjithë punonjësit e Universitetit u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin e tyre për këtë institucion, që në hapat e parë të themelimit, për angazhimin tyre për promovimin e demokracisë dhe të vlerave të mirëfillta akademike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat