Autobusët në Tetovë ende nuk janë funksional

Tetova

Autobusët në Tetovë ende nuk janë funksional

Më: 6 prill 2021 Në ora: 20:01
Foto ilustrim

Më 17 janar të këtij viti, me një ceremoni solemne në Tetovë është bërë pranim dorëzimi i 5 autobusëve të cilët do të shfrytëzohen për transport publik. Por edhe pse gati kanë kaluar tre muaj që atëherë, megjithatë autobusët ende nuk vërehen në rrugët e Tetovës. Kësisoj, transporti publik në Tetovë ende nuk është funksional dhe tetovarët janë në pritje të realizimi të këtij premtimi. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, është shprehur se të gjitha procedurat janë në përfundim e sipër dhe së shpejti autobusët do të fillojnë të transportojnë udhëtarë.

“Bordi i ndërmarrjes është kompletuar, regjistrimet e autobusëve janë bërë, çmimet janë përcaktuar, kështu që është çështje kohe kur autobusët do të jenë në teren”, tha kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Po ashtu bëhet e ditur se edhe shoferët janë sistemuar dhe janë disa procedura teknike që duhet të rregullohen në teren. Kërkesa për rivendosjen e transportit publik në Tetovë daton që moti, pasi që edhe qytetarët edhe sektori joqeveritar ka vlerësuar se kjo në masë të madhe do të ndikojë në uljen e ndotjes në këtë qytet për shkak të numrit të madh të automjeteve që qarkullojnë në rrugët e Tetovës. Me këtë, pritet që po ashtu të lehtësohet edhe kaosi në rrugët e Tetovës dhe apelohet që në të ardhmen qytetarët pa nevojë mos dalin me veturat e tyre, por të shfrytëzohet transporti publik.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti është shprehur se janë në konsultim me Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë për të përcaktuar linjat dhe orarin e autobusëve. “Ndërmarrja për Transport Publik së bashku me Sektorin për Punë të Brendshme dhe Sektorin për tokë ndërtimore dhe komunikacion kanë formuar një grup pune. Ky grup ka dalë në teren dhe ka bërë rregullimin e stacioneve të autobusëve, ku është duke u bërë rregullimi i linjës se si do të zhvillohet parkingu i autobusëve dhe janë në përfundim e sipër këto procedura të nevojshme që të vihen në funksion autobusët”, deklaroi Memeti.

Ndryshe, për furnizim me pesë autobusë, Komuna e Tetovës aplikoi në thirrjen e Ministrisë së Financave ku ka marrë një kredi prej 1.2 milion euro prej Bankës Botërore. Për sigurimin e këtyre 5 autobusëve, Komuna e Tetovës kishte harxhuar 720 mijë euro kurse mjetet tjera do të shfrytëzohen për qëllime tjera të komunës. Derisa të përfundojnë procedurat që autobusët të dalin në rrugët e Tetovës banorët e Tetovës do të vazhdojnë të përdorin automjetet e tyre dhe kjo krijon kaos në trafikun rrugor në këtë qytet. Furnizimi me pesë autobusë ishte bërë edhe për të ndikuar në uljen e ndotjes në këtë qytet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat