Tetovë, vonohet hapja e qendrës për trajtim të pacientëve me COVID-19

Tetova

Tetovë, vonohet hapja e qendrës për trajtim të pacientëve me COVID-19

Më: 21 prill 2021 Në ora: 15:08
Foto ilustrim

Mungesa e ujit për pije dhe disa lëshime tjera kanë pamundësuar vënien në përdorim të spitalit modular për covid në Tetovë. Pranim dorëzimi i këtij spitali modular është bërë para pesë ditësh, por edhe pesë ditë shtesë i janë dhënë firmës për rregullimin e lëshimeve gjatë ndërtimit me qëllim që spitali modular të lëshohet në përdorim.

“Firma që ka bërë ndërtimin e të njëjtit objekt ka bë disa lëshime të vogla dhe nga ana e komisionit, iu dha një afat prej pesë ditësh që të bëj sanimin e atyre parregullsive të vogla dhe jemi pra në fazën e fundit ku duhet kyç objekti në sistemin qendror të oksigjenit që është më se i nevojshëm për trajtimin e pacientëve me kovid. Një ditë ishte firma që të fus në funksion ujin por nuk kishte ujë qyteti dhe nuk mundëm ta testojmë sistemin e ujit në objekt”, tha Artan Etemi, drejtor ekonomik i Spitalit Klinik të Tetovës.

E ndërkohë që spitali modular për kovid vazhdon të mos jetë në funksion, numri i të shtruarve me virus korona për dallim prej para një javë është rritur në 41, të gjithë me oksigjen-terapi, thotë Gzim Nuredini, koordinator i kovid qendrës në Tetovë. Paralelisht me shtimin e numrit të të prekurve me virusin korona, në Shtëpinë e Shëndetit, shtohet numri i të interesuarve për ta pranuar vaksinën AstraZeneka.

“Deri më tani kemi arritur të japim 685 doza deri ditën e djeshme mendoj. Ndonjë pacient që të ankohet nuk ka pasur për ndonjë efekt anësor. Me vaksinimin do vazhdohet edhe atë me vaksinim masiv, por saktë kur nuk dihet”, pohoi Drita Ziberi, infermiere në Shtëpinë e Shëndetit në Tetovë.

Në Tetovë, përveç pikës së vaksinimit në shtëpinë e shëndetit, do të hapen edhe tre pika të tjera, një në Tetovë dhe dy në komunat rurale për rreth. Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë, në Tetovë nga virusi korona janë prekur gjithsej 6987 persona, prej të cilëve 6085 janë shëruar, ndërsa betejën me virusin e kanë humbur 265 persona. Aktualisht Tetova dhe pesë komunat për rreth, ka 634 raste aktive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat