E mira nuk harrohet asnjëherë! Pas 22 vitesh familja nga Prishtina kthehet në Tetovë te familja që i strehoi në luftë

Tetova

E mira nuk harrohet asnjëherë! Pas 22 vitesh familja nga Prishtina kthehet në Tetovë te familja që i strehoi në luftë

Më: 1 gusht 2021 Në ora: 10:46
Pamje nga videoja

U kthyen pas 22 vitesh në të njëjtin vend, ku kishin qëndruar në momentet më të vështira.

Në fshatin Gurgunicë, 40 kilometra nga Tetova, familja Vllasa nga Prishtina erdhi për të shprehur mirënjohjen ndaj këtyre banorëve që ua hapën dyert në kohën kur ishin larguar nga Kosova për shkak të represionit serb.

“I gjithë fshati ka qenë i mobilizuar për të na mbrojtur, furnizuar, akomoduar dhe për këtë shkak ne jemi këtu për me sjellë këtë pllakë për me përkujtua për gjeneratat e ardhshme se fshati i tyre ka strehua të përndjekurit e luftës në Kosovës gjatë viteve ’98-‘99”, u shpreh Ukshin Vllasa.

“Kemi gjetur strehim vëllazëror edhe gjithmonë kam menduar se një ditë do të vijë një moment kur do ta falënderojmë të gjithë fshatin në mënyrë vëllazërore se kanë qenë momente të vështira të pa përshkruara dhe si tha edhe vëllai jonë, duhet ta dinë gjeneratat e ardhshme se në momentet më të vështira vëllai për vëllain, me shpresë se nuk përsëriten kurrë, por përsëri duhet ta dimë se kemi vëllezër dhe për me do jenë vëllezër gjithmonë”, tha Aziz Vllasa.

Arben Vllasan, në atë kohë 15 vjeç, thotë se qëndrimi rreth dymujor në Gurgunicë nuk mund ta harrojë. Mban mend çdo pjesë të fshatit.

“Momenti i parë kur kam ardhur, e kam parë një fshat i cili, thosha, të mendosh ta vizatosh, është pak problematik, thosha si ky fshat?! Por kur kam ardhur këtu janë ndjerë goxha i lirë, me një far dashurie të madhe, banorët e këtij fshati, për ne si refugjat që kemi qenë”, deklaroi Arben Vllasa.

Hoxha i fshatit Jakup Jakupi thotë se ka qenë detyrim që të presin të dëbuarit nga dhuna, pa dallim feje, pasi që gjithë sipas tij janë vëllezër dhe e kanë për obligim.

“Edhe pse jemi me një fshat të veçantë, por kjo nukdallon, nuk lë anësh e gjithë popullin shqiptarë që strehoi vëllezërit shqiptarë të Kosovës, pa dallim feje, u bashkuan të gjithë së bashku dhe të gjithë së bashku kaluam ato momente dhe një pjesë e madhe e këtij populli shpëtoi dhe u kthyen në shtëpitë e tyre”, u shpreh Jakupi.

Në këtë fshat të vogël malor, gjatë luftës së Kosovës janë strehuar mbi 350 refugjatë. Mikpritja e banorëve bën që edhe pas 22 vitesh, ata ende të mbajnë miqësinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat