Shpërthimi në spitalin e Tetovës/ Kryetarja Arifi shpall tri ditë zie për viktimat e ngjarjes tragjike

Tetova

Shpërthimi në spitalin e Tetovës/ Kryetarja Arifi shpall tri ditë zie për viktimat e ngjarjes tragjike

Më: 8 shtator 2021 Në ora: 22:32
Tym i madh shihet duke u ngritur në ajër, teksa zjarrfikësit dhe civilët përpiqeshin ta fiknin një zjarr që shpërtheu në një spital për pacientët me COVID-19 në Tetovë, Maqedoni e Veriut. (8 shtator 2021)

(E plotësuar 11:45) - Këshilli i komunës së Tetovës në mbledhjen e sotme urgjente ka marrë vendim që të shpallë tri ditë zie për viktimat e tragjedisë së mbrëmshme.

Ndërkohë kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi edhe njëherë ka kërkuar nga qytetarët dhe mediat që të presin informatat zyrtare dhe të mos shpejtojnë që të publikojnë informata të pakonfirmuara.

Ajo ka paralajmëruar ndihmë financiare për familjet e viktimave.

“Deri në informacionet zyrtare do t’i presim ato dhe në mënyrë të rregullt do t’ju informojmë. Në mbledhjen e radhës, pasi të kemi informacione më të detajuara për fatkeqësinë, nga fondet emergjente të Komunës së Tetovës do t’i ndihmojmë familjet e viktimave. Kjo është dhimbje e madhe për gjithë Tetovën”, tha Arifi.

Sipas informacioneve zyrtare, të paktën 14 persona kanë vdekur mbrëmë pas shpërthimit të zjarrit në spitalin e Tetovës ku po trajtoheshin pacientët me COVID-19.

 

Ministria e Shëndetësisë jep detaje: 26 pacientë ishin prezent në spitalin për Covid në momentin e shpërthimit të zjarrit

26 pacientë kanë qenë në spitalin për Covid në Tetovë, ku shpërtheu zjarri.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.

“Ministria e Shëndetësisë njofton se në tragjedinë e mbrëmshme në Kovid-qendrën në Tetovë kanë humbur jetën 14 persona. Në Kovid-qendrën në momentin e shpërthimit të zjarrit ka pasur 26 pacientë, 12 të mbijetuarit janë për kurim në spitalin e Tetovës dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Nuk ka punonjës shëndetësor që kanë humbur jetën ose janë lënduar në këtë tragjedi, disa janë me lëndime të lehta”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhje deri tek familjet e viktimave. Nga kjo ministri njoftojnë se gjatë gjithë ditës do të informojnë për të gjitha detajet e reja rreth kësaj ngjarje tragjike. Apelojmë deri tek qytetarët dhe mediat që t’i ndjekin informatat zyrtare dhe të përmbahen nga spekulimet për këtë ngjarje të rëndë", njoftojnë nga Ministrisë së Shëndetësisë.

***

Ka arritur në 14 numri i viktimave në Tetovë nga zjarri që përfshiu spitalin modular për trajtimin e personave e të sëmurëve me koronavirus, të mërkurën rreth orës 21:00. Kjo është bërë e ditur nga prokuroria publike e Shkupit, e cila në bashkëpunim me prokurorinë publike të Tetovës gjatë natën kryen hetime në vendin e ngjarjes.

"Në bashkëpunim me pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rastit. Prokurorët kanë lëshuar urdhër për identifikimin e trupave të 14 personave të vdekur nga zjarri. Po shqyrtojnë nëse ka të vdekur të tjerë. Disa nga të vdekurit do të kenë nevojë për analiza të ADN -së për të përcaktuar identitetin e tyre. Sipas informacioneve fillestare, nuk ka personel mjekësor në mesin e të vdekurve”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Zjarri besohet të jetë përhapur nga shpërthimi i bombolave të gazit apo oksigjenit. Ekipet e zjarrfikësve kishin shkuar në vendin e ngjarjes pesë minuta pas shpërthimit të fuqishëm. Në spital gjendeshin mbi 20 të sëmurë me koronavirusi, por aty kishte edhe familjar që kujdeseshin për të afërmit e tyre.

Image
Policia dhe zjarrfikësit inspektojnë vendin e ngjarjes në një klinikë Covid-19 pas shpërthimit të zjarrit, në Tetovë, 8 shtator 2021.

Të dhënat e para mbi numrin e viktimave u dhanë nga Ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe.

“Një aksident i rëndë ka ndodhur në Tetovë që ka marrë disa jetë njerëzish. Dhjetë persona janë konfirmuar të vdekur deri më tani, por numri mund të rritet. Kjo është një ditë shumë e trishtuar. Mjekët po luftojnë për jetën e të plagosurve. U bëj apel mediave dhe qytetarëve që të mos spekulojnë me numrat. Ne do t'i ndajmë të gjitha informacionet e konfirmuara me kohë”, ka shkruar Filipçe në Twitter.

Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në prononcimin për mediat u përmbajt nga publikimi i të dhënave duke theksuar se gjithçka do të dihet pas hetimit të plotë të rastin nga organet e hetuesisë.

“Institucionet duhet të bëjnë punën e tyre andaj edhe ne nuk mund të flasim për shkaktarët, të paktën për momentin. Është një fatkeqësi, një dhimbje shumë e madhe. Me informacione do të dalim pasi që prokurori shtetëror ta ketë bërë punën e tij dhe pasi të kemi informacionet zyrtare, qoftë për shkaqet, qoftë për viktimat”, ka deklaruar Arifi.

E pyetur nëse ka lidhshmëri shpërthimi me një incident të para dy javëve, kur ishin dëmtuar instalimet e oksigjenit në këtë spital modular, Arifi tha se hetimet do të tregojnë shkaqet e incidentit.

Në Tetovë, të mërkurën deri në mesnatë qëndruan edhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe shumë anëtarë tjerë të Qeverisë, të cilët morën pjesë në një mbledhje të shtabit të krizës në Tetovë, por asnjë prej tyre nuk u prononcua për incidentin.

***

Prokuroria Themelore Publike e Maqedonisë nëpërmjet një njoftimi për media, thotë se për kryerjen e hetimeve në lidhje me rastin tragjik në Tetovë janë angazhuar pesë prokurorë.

Nga Prokuroria thonë se për momentin janë konfirmuar 14 viktima, ndërsa në mesin e tyre nuk ka nga stafi mjekësor.

“Në bashkëpunim me pjesëtarët e Ministrisë për Punë të Brendshme, inspektimi filloi menjëherë. Prokurorët kanë lëshuar urdhra autopsie dhe kanë identifikuar trupat e 14 personave të vdekur në zjarr, dhe po shqyrtojnë nëse ka të vdekur të tjerë”.

“Disa nga të vdekurit do të kenë nevojë për analiza të ADN-së për të përcaktuar identitetin e tyre. Sipas informacioneve fillestare, nuk ka personel mjekësor në mesin e të vdekurve. Deri në orët e para të mëngjesit, prokurorët morën në pyetje stafin në spitalin modular për të përcaktuar shkakun e zjarrit”.

“Në të njëjtën kohë, u dha urdhër për të siguruar pamje të video-mbikëqyrjes brenda dhe përreth objektit. Inspektimi do të vazhdojë edhe sot, dhe prokurorët publik, së bashku me ekspertët e MPB-së, do të japin provat për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Qeveria cakton mbledhje urgjente

Për sot në ora 10 është caktuar mbledhje urgjente e qeverisë, në të cilën do të diskutohet për zjarrin në Kovid-qendrën në Tetovë. Këtë e tha mbrëmë vonë kryeministri Zoran Zaev, i cili në dalje nga godina e Komunës së Tetovës deklaroi se sot do të mbajë mbledhje Qeveria.

“Kemi caktuar mbledhje për në ora 10:00”, tha Zaev duke mos dashur të jap detaje për zjarrin nën arsyetimin se deklarata nuk do të ketë derisa organet kompetente nuk bëjnë ekspertizë dhe zbardhin shkaqet e zjarrit.

Nga Qeveria mbrëmë informuan se në rrjedhë është një hetim i detajuar për zjarrin në të cilin sipas informatave të deritanishme ka 10 viktima.

"Gjendja e të lënduarve nga zjarri është stabile"

Zëvendës ministri i shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Ilir Hasani tha se gjendja e të lënduarve nga zjarri është stabile.

“Të dhënat zyrtare të të vdekurve do të dalin shumë shpejtë. Derisa prokurori dhe hetuesia është në vendin e ngjarjes nuk mund të themi një numër të saktë të viktimave”.

“Gjendja e tyre është stabile, por ende nuk kemi informata ende të reja. Deri tani ishim në terren dhe nuk kemi informacione”.

Hasani tutje tha se mbi 20 pacientë kanë qenë duke u trajtuar për COVID-19.

“Mbi 20 pacientë me COVID-19 kanë qenë duke u shëruar në bazë të evidencës tonë".

Zjarri në spitalin modular në Tetovë – Muaj më parë ishin konfirmuar gabime gjatë ndërtimit të tij

Një shpërthim i zjarrit që ndodhi në Tetovë, mori jetën e 10 personave, derisa mbetën të plagosur edhe disa të tjerë.

Zjarri shpërtheu në spitalin modular në Tetovë, për të cilin në mesin e muajit prill është raportuar se janë konfirmuar gabime gjatë ndërtimit.

Sipas një shkrimi në media, thuhej se firma e cila ka kryer punët ndërtimore duhej ti mënjanoj vërejtjet.

“Vërejtjet kanë të bëjnë me dyshemenë dhe disa gabime tjera të vogla infrastrukturore. Është dhënë afat prej 5 ditëve që të sanohen gabimet të ndodhura gjatë ndërtimit të spitalit modular. Rrymë dhe ujë ka. Për sistemin e oksigjenit jemi në kontakt me firmën nga ku na thanë se për 2-3 ditë mund të vendoset. Sistemi ka ardhur deri tek infektivja dhe mund të lidhet. Në rast se nuk dalin probleme të tjera, javën tjetër shpresojmë se do të vihet në përdorim”, deklaroi asokohe drejtori Ekonomik i Klinikës së Tetovës, Artan Etemi.

Tragjedia në Tetovë/ Pesë prokurorë angazhohen për zbardhjen e rastit të zjarrit

Prokuroria Publike Themelore ka njoftuar se pesë prokurorë janë angazhuar dhe janë në terren ku po kryejnë ekspertizë për të vërtetuar shkaqet që sollën deri te djegia e spitalit modular Kovid në Tetovë.

“Prokuroria Publike Themelore Tetovë po kryen ekspertizë në vendin e ngjarjes në spitalin modular Kovid në Tetovë, ku sonte shpërtheu zjarr në të cilin ka viktima dhe numri po konfirmohet.

Në ekspertizë janë përfshirë tre prokurorë nga Prokuroria Themelore Publike Tetovë, të cilëve u janë bashkuar dy prokurorë publikë nga Prokuroria Publike e Shkupit.

Ekipi prej pesë prokurorëve, bashkë me ekipet të institucioneve përkatëse, i ndërmarrin të gjitha aktivitetet në drejtim të vërtetimit të shkaqeve për zjarrin e shkaktuar”, thanë nga Prokuroria Publike.

Konfirmohen 10 viktima

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoni, Venko Filipçe, ka thënë se janë konfirmuar 10 viktima nga zjarri në kovid-qendrën në Tetovë.

Filipçe në një postim në Twitter, shkruan se ky numër mund të rritet, por bën thirrje tek qyetetarët dhe mediat të mos spekuojnë me numra.

“Në Tetovë ka ndodhur tragjedi, e cila ka marrë jetë njerëzish. Deri tani janë konfirmuar dhjetë viktima nga zjarri, por numri mund të rritet. Është ditë e vështirë për të gjithë”.

“Mjekët por luftojnë për jetët e të lënduarve. Apeloj tek mediat dhe qytetarët të mos spekulojnë me numra. Të gjitha informacionet e konfirmuara do t’i ndajë në kohë”, ka shkruar Filipçe.

***

Të mërkurën rreth orës 21:00, në Tetovë është djegur spitali modular për trajtimin e të sëmurëve me koronavirus.

Nga zjarri që, besohet të jetë përhapur nga shpërthimi i një bombole, dyshohet edhe për viktima, por zyrtarisht kjo gjë nuk është konfirmuar ende.

Në hapësirat e spitalit ndodhen ekipe të shumta zjarrfikësish dhe ata të ndihmës së shpejtë, të cilat po nxjerrin pacientët.

Image

Në spital, jozyrtarisht merret vesh se gjenden dhjetëra persona të sëmurë me COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi.

“Zjarrfikësit arritën në vendin e ngjarjes brenda pesë minutave nga pranimi i thirrjes nga spitali, por për fat të keq gjithçka ka marrë flakë shumë shpejt… për momentin nuk mund të raportojmë për diçka tjetër. Shpreh keqardhje të thellë për këtë që ndodhi. Në spital kishte njerëz të sëmurë”, ka deklaruar kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Nga shërbimi i zjarrfikësve thanë se shkaqet mbi përhapjen e zjarrit ende nuk mund të përcaktohen pasi ekipet ende janë duke punuar brenda hapësirave të djegura.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka shprehur ngushëllime përmes telefonit kryetares Arifi si dhe ka treguar gatishmëri për ndihmë.

Kostov: Mund të presim që të arrijnë pacientët nga Tetova

Jo zyrtarisht nga informacionet që kam marrë deri më tani nga Tetova, në tragjedinë e madhe sonte kanë humbur jetën 20 deri në 30 pacientë, thënë  drejtori i spitalit “8 Shtatori”, Hristijan Kostov.

Ai tha se spitali është plotësisht i përgatitur për të pritur pacientët prej andej dhe për t’u siguruar atyre të gjithë kujdesin dhe trajtimin e nevojshëm.

Aktualisht, 99 pacientë me coronavirus po trajtohen në spitalin “8 Shtatori”, por menjëherë mund të presim 10 pacientë, ka vende në repartin e kovidit ku ka një furnizim qendror me oksigjen. Mund të marrim më shumë, në këtë rast ne do të hapnim departamentin e kirurgjisë abdominale. Nuk ka furnizim qendror me oksigjen, por ne kemi një numër të mjaftueshëm shishesh.

Në çdo rast, i gjithë stafi mjekësor është gati të kujdeset për pacientët nga spitali i Tetovës, ne jemi duke pritur që ata të fillojnë të vijnë në çdo moment”, Kostov.

***
Sipas zjarrfikësve, shkon në 15 numri i viktimave nga zjarri në Spitalin e Tetovës

Së paku 15 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që shpërtheu në Qendrën Modulare në Spitalin e Tetovës. Në këtë Qendër po trajtoheshin të sëmurit me COVID-19.

Më shumë se 30 zjarrfikës të cilët kanë intervenuar me 7 makina për thuajse gjysmë ore kanë arritur që të shuajnë zjarrin në spitalin modular në Tetovë.

Sasho Trajçevski nga njësiti i zjarrfikësve deklaroi se zjarri ka qenë shumë i madh, dhe se nga spitali janë nxjerr viktima. Por kjo pritet të konfirmohet edhe zyrtarisht.

Në ora 21 e 2 minuta kemi marr njoftimin se po digjet spitali modular në qendrën medicinale në Tetovë. Ekipet e zjarrfikësve për 3-4 minuta kanë arritur në vendngjarje me 7 makina dhe mbi 30 zjarrfikës. Megjithatë kur ekipet tona kanë arritur në vendngjarje, gjithçka ishte në flakë. Ne bëmë të pamundurën dhe në ora 21:30 minuta zjarri është shuar. Zjarri ishte shumë i madh sepse spitali modular ishte nga plastika”, deklaroi Sasho Trajçevski, zjarrfikës.

***

Si pasojë e zjarrit që ka kapluar spitalin modul për Covid në Tetovë kanë vdekur dhjetëra pacientë dhe staf mjekësor.

Deri më tani ka mbi 24 viktima. Mes tyre personel mjekësor dhe familjar te pacienteve qe ka qëndruar brenda për t'i ndihmuar pacientët.

Vetëm 5 pacientë kanë arritur të shpëtojnë gjallë dhe ata janë nisur menjëherë për në spitalin e Shkupit.

Zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes duke u munduar të shuajnë zjarrin që ka kapluar Spitalin modul për Covid të Tetovës.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe ka konfirmuar se ka viktima në zjarrin që ka shpërthyer në Tetovë, ndërsa numri i tyre saktë ende nuk dihet, dhe se autoritetet janë duke punuar për të konfirmuar.

“Zjarri është shuar dhe të gjitha ekipet e spitalit janë mobilizuar të japin ndihmën për të lënduarit. Ato me urgjencë janë duke u transportuar për në Shkup që të ju jepet ndihma e nevojshme, ekipet e Klinikës janë të mobilizuar. Së shpejti do të kemi informacione”, ka thënë Filipçe.

Kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi, nga spitali ka folur për rastin.

Ajo tha se ende nuk dihet për numrin e viktimave.

***

Sipas mediumeve lokale në Tetovë, numri viktimave nga zjarri në Spitalin Modular të Tetovës ka shkuar në 27.

Ende nuk ka konfirmime nga autoritetet atje.

Në atë spital po trajtoheshin pacientët e infektuar me COVID-19.

Image

***

Spitali Covid në Tetovë ku janë të shtruar pacientët me Covid ka marrë flakë mbrëmjen e sotme (8 shtator.)

Në një video të siguruar nga Alsat dëgjohen të bërtitura dhe shpërthime, ndërkohë që shtëllungat e tymit janë shpërndarë në qiell.

Paraprakisht dyshohet për 27 viktima. Nga Ministria e Shëndetësisë jo zyrtarisht kanë konfirmuar se ka viktima por nuk mund të komentojnë rreth numrit.

Për shkak të intensitetit të zjarrit, tre makina të zjarrfikësve të Shkupit janë rrugës për në Tetovë.

***

Kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi, nga spitali i Tetovës ku sot u shkaktuar zjarr, tha se sipas njoftimeve të para sot në orën 21:02 minuta te zjarrfikësit është paraqitur rasti për shpërthimin e zjarrit.

Arifi tha se ende nuk dihtet për numrin e viktimave.

Image

Për media deklaratë dha dhe edhe zv. komandiri i zjarrfikësve në Tetovë i cil tha se rasti te ata është paraqitur në orën 21:02, ndërsa është shuar i tëri në orën 21:45.

Ai tha se derisa po digjej spitali i modeluar ka vazhduar nxjerra e viktimave që ishin brenda, ndërsa deri më tani është konfirmuar vetëm një viktimë.

Ai tha se ende nuk dihen saktë shkaqet që shkaktuan zjarrit.

***

Sipas raportimeve jozyrtare, thuhet të jenë 8-9 viktima, nga shpërthimi tek spitali modular i Tetovës,

Sipas burimeve të Alsat, raportohet të ketë edhe viktima si nga pacientët edhe nga stafi mjekësor.

Është djegur tërësisht spitali modular, derisa zjarri është ende aktiv në një pjesë të objektit. Në çdo moment pritet deklarata nga autoritetet për bilancin e viktimave.

***

Ka shpërthyer zjarr i madh në Spitalin e Tetovës.

Raportohet se ka edhe viktima, ndërsa edhe të tjerë të lënduar.

Zjarrfikësit janë në vendngjarje dhe po tentojnë të lokalizojnë zjarrin.

Akoma nuk dihen shkaqet që kanë çuar në shpërthimin e zjarrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat