ASH: Tentime nga institucionet për t’i ikur përgjegjësisë për zjarrin në Tetovë

Tetova

ASH: Tentime nga institucionet për t’i ikur përgjegjësisë për zjarrin në Tetovë

Më: 14 shtator 2021 Në ora: 16:25
ASH

Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët ka reaguar sërish në lidhje me zjarrin tragjik në Tetovë.

Nga kjo parti thonë se ditëve të fundit kanë parë tentime të lloj-llojshme nga institucionet relevante për t’i ikur përgjegjësisë për djegien e 14 personave në spitalin modular.

“Shihet qartë, sikurse edhe në shumë raste tjera, se po tentohet që në fund përgjegjësi mos të mbajë askush dhe fajtorët të ngelin pa emër. Siç e dini spitalet modulare në vend janë ndërtuar me hua nga Banka Botërore. Ne kemi parë dokumentacionin e tenderimit, ku ndër të tjerat shihet qartë se cilat institucione janë përgjegjëse për mbrojtjen nga zjarri dhe këto institucione janë Spitali i Tetovës dhe Komuna e Tetovës. Sipas pjesës së tretë të dokumentacionit të tenderimit – Plani i Monitorimit, parashihet që spitali modular të ketë Plan për mbrojtje nga zjarri dhe implementim të masave mbrojtëse. Është identifikuar se përgjegjës për këto plane dhe masa janë inspektorë komunalë, drejtori i spitalit dhe persona përgjegjës të punësuar në spital.

“Pasi komuna e Tetovës shpejtoi që të lajë duart nga përgjegjësia, së pari pyesim publikisht kryetaren e komunës së Tetovës: A keni bërë inspektim për mbrojtje nga zjarri siç ka kërkuar procedura? Nëse jo, pse jo?. Poashtu pyesim publikisht komunën, spitalin dhe të gjitha institucionet tjera relevante: Përse në spitalin modular nuk ka patur alarme zjarri?; Përse në spitalin modular nuk ka patur asnjë pajisje për mbrojtje nga zjarri?; E dimë se kontraktues kryesor ka qenë firma Brako e partnerit tuaj të kahmotshëm Koço Angjushev. A ka patur nënkontraktues dhe cilët janë këta? Veçanërisht parashtrojmë pyetjen, kush ka bërë instalimet elektrike?; A është bërë mbikëqyrje dhe pranim teknik i objektit? Kush e ka bërë mbikëqyrjen?”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat