Dilema rreth lëshimeve të mundshme në spitalin e Tetovës

Tetova

Dilema rreth lëshimeve të mundshme në spitalin e Tetovës

Më: 8 tetor 2021 Në ora: 09:20
Ilustrim

Prokuroria Themelore Publike e Tetovës tha se po vazhdon të hetojë edhe për shkaktarë të tjerë të mundshëm të zjarrit në spitalin e Tetovës, ku vdiqën 14 persona.

Një ditë më herët, kjo prokurori publikoi një raport ku thuhej që zjarri shpërtheu në spital më 8 shtator, u shkaktua nga një kabllo vazhduese, ku ishin vendosur defibrilatori (pajisje për trajtimin e pacientëve në rast të ndonjë sulmi kardiak), një mbushës telefoni dhe një aparat tjetër.

Por, Prokuroria Themelore ka thënë se pasi të analizojë edhe provat e tjera materiale dhe verbale, do të marrë vendim për rrjedhën e mëtejme të procedurës.

Por, në raportin e këtij institucioni nuk jepet asnjë sqarim nëse spitali i përkohshëm në Tetovë, ku trajtoheshin pacientët me COVID-19, ka pasur ose jo aparat për shuarjen e zjarrit. Po ashtu nuk ka treguar nëse ka pasur sistem për detektimin e tymit.

Kjo ka bërë që të ngrehen më shumë dilema se kush bart përgjegjësinë për zjarrin, pasi janë konstatuar një sërë lëshimesh që kanë qenë në funksionimin e këtij spitali të përkohshëm në Tetovë.

Ibin Emshiu, që në zjarrin në spitalin e Tetovës humbi vëllanë Rasimin 29 vjeç dhe babanë Halilin 55 vjeç, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë spital nuk ka pasur aparat për shuarjen e zjarrit. Ai thotë se personalisht ishte i pranishëm në momentin kur ka shpërthyer zjarri dhe ai nuk ka parë asnjë mjet për ta shuar zjarrin.

Sipas tij, një gjë të tillë e konfirmojnë edhe avokatët nga Italia që ai ka angazhuar, që sipas Emshiut kanë siguruar fotografi dhe video-incizime të bëra para se të shpërthente zjarri.

“Babai dhe vëllai ishin banorë në shtetin e Italisë. Për këtë arsye kam angazhuar avokatë nga Italia. Jemi duke mbledhur më shumë familjarë që humbën të afërmit në spital, për të ngritur padi. Si familjarë ne nuk do të ndalemi në kërkimin e drejtësisë derisa të zbardhet tërësisht rasti”, thotë Emshiu.

Në këtë drejtim, ish-kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Konstadin Kizov thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të konstatohet se kush është përgjegjës që defibrilatori u kyç në sistemin elektrik përmes një kablloje vazhduese dhe jo direkt në prizë.

Kizov thotë se ka pasur shumë lëshime gjatë dhënies në përdorim të spitalit të përkohshëm në Tetovë.

“Furnizimi, ndërtimi dhe dorëzimi në përdorim i objektit… këtu bëhet fjalë për një kompleks të përgjegjësive. Për këtë arsye janë të përfshirë pesë prokurori, të cilat duhet të konstatojnë përgjegjësinë në çdo segment”, thotë Kizov.

Për shkak të zjarrit në spitalin e Tetovës, ku trajtoheshin pacientë me koronavirus, dorëheqje dhanë: ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, zëvendësministri Ilir Hasani, si dhe dy drejtorë të spitalit të Tetovës. Por, dorëheqjet e këtyre zyrtarëve nuk janë pranuar nga kryeministri Zoran Zaev.

Njohësit e zhvillimeve politike thonë se mospranimi i dorëheqjeve të këtyre zyrtarëve nga kryeministri maqedonas Zaev përçon një mesazh të keq për përgjegjësinë morale të drejtuesve të institucioneve.

Sipas Arsim Sinanit nga Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare e Studime Ballkanike, ky vendim i Zaevit është amnisti për përgjegjësinë morale që bart çdo zyrtar shtetërorë.

“Në Maqedoninë e Veriut është instaluar një mendësi e cila amniston gjithçka që pushteti mendon se duhet të amnistohet. Prandaj, në Maqedoninë e Veriut janë këto probleme. Kryeministri e ka humbur logjikën se si do të duhej që të veprohej kur ndodh një gjë e tillë, një rast kaq tragjik. Përderisa në Japoni, vetëm pse vonohet treni pesë minuta jep dorëheqje ministri, këtu kemi të bëjmë me humbjen e jetës së 14 personave dhe askush nuk bart asnjë përgjegjësi, kjo është e tmerrshme”, thotë Sinani.

Në hetimin për zjarrin në spitalin e përkohshëm në Tetovë janë përfshirë edhe disa ekspertë gjermanë, të cilët po ashtu pritet të dalin me gjetjet e tyre mbi shkaqet e shpërthimit të zjarrit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat