Deponitë e egra, Arifi: Kemi dy zgjidhje në Tearcë ose Falishtë

Tetova

Deponitë e egra, Arifi: Kemi dy zgjidhje në Tearcë ose Falishtë

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 20:19
Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi

Tetova, Struga, Gostivari, por edhe shumë komuna të tjera rurale, nuk po gjejnë dot zgjidhje për këtë problem imediat që është kthyer jo vetëm në ndotës serioz të ambientit jetësor, por edhe në rrezik potencial për shëndetin e qytetarëve. Rajoni i Pollogut, veçanërisht Tetova, ka shumë probleme me deponitë e egra.

Problemi me deponinë në hyrje të Tetovës u zgjidh me largimin fizik të mbeturinave, por deponi të egra ka edhe në vende të tjera. Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, thotë se ky problem kërkon zgjidhje afatgjatë, pasi për momentin komuna e Tetovës të gjitha mbeturinat i dërgon në deponinë Drislla të Shkupit, me shpenzime të larta transportuese.

“Rajoni i Pollogut ka dy pozicione gjeografike në të cilat mund të ketë deponi legale, njëra është pozicioni i deponisë Rusino, dhe pozicion tjetër gjendet në komunën e Tearcës. Për këtë arsye për ne ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme që të arrijmë në ndërtimin e një pike ngarkim-shkarkimit të cilën ne mendojmë që ta rrisim dhe ta bëjmë akoma më funksionale. Projekti apo programi tjetër që ka përfunduar me marrjet e lejeve dhe që mendojmë që në pranverë do të arrijmë që të vendosim edhe në fillimet e veta të realizimit, është pika për selektim sekondar, që është e paraparë të ndërtohet afër stacionit për filtrimin e ujërave të zeza në lokalitetin Falisht”,- deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Shoqata “Eko Guerilla” fajëson pushtetin lokal dhe atë qendror që, sipas tyre, nuk kanë bërë mjaftueshëm për të gjetur një zgjidhje. Arianit Xhaferi nga kjo shoqatë kërkon që krahas edukimit të qytetarëve se ku duhet të hedhin mbeturina, duhet bërë edhe edukimi i politikanëve.

“Mendoj se përveç se duhet të edukojmë qytetarët, duhet të edukojmë edhe politikanët, edhe vendimmarrësit, të cilët në një mënyrë apo tjetër, për shkak të këtyre dallimeve ideologjike ose partiake, na kanë lënë këtu ku jemi. Sigurisht ka nevojë për t’i edukuar qytetarët të cilët sigurisht që duhet të paguajnë faturat, por mendoj se përsëri është në dorën e autoriteteve që të gjejnë mënyra të cilat nuk do jenë shumë të pëlqyera por të detyrojnë qytetarët të paguajnë faturat”,- theksoi Arianit Xhaferi nga “Eco Guerilla”.

Nga Ministria e Ekologjisë thonë se ka një plan nacional dhe problemi do të ketë zgjidhje në vitet në vijim.

“Në rajonin e Pollogut është paraparë një lokacion për një deponi, sepse është më e mirë si zgjidhje dhe më e lirë dhe e përballueshme nga qytetarët, sepse sistemi i mbledhjes dhe transportit, përpunimi i tij është sistem që duhet të jetë i vetëfinancuar dhe të jetë projekt që do ta paguajnë qytetarët përmes faturave për mbetjet komunale”,- tha përfaqësuesja e Ministrisë së Ekologjisë, Ana Maznevska.

Këto komente u bënë sot në një panel diskutimi që e organizoi Organizata “Civica Mobilitas” në Universitetin e Evropës Juglindore. Edhe pse në këtë debat ishin të ftuar edhe kryetari i Strugës dhe ai i Gostivarit, ata nuk ishin të pranishëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat