UT nënshkruan Deklaratën për universitete pa korrupsion

Tetova

UT nënshkruan Deklaratën për universitete pa korrupsion

Më: 21 dhjetor 2017 Në ora: 11:30
UT nënshkruan Deklaratën

Më 18 dhjetor 2017, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë në bashkëpunim me Institutin për Hulumtime Strategjike dhe Edukim në Shkup, si dhe të gjitha universitetet publike në vend kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për universitete pa korrupsion, transmeton Express.

Deklarata është firmosur nga rektorët e të gjitha universiteteve, ndërsa në emër të Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti, deklaratën e nënshkroi Prorektori për Shkencë i Universitetit, Prof. dr. Hazir Pollozhani.

Ai tha se, Universiteti i Tetovës me kënaqësi e pranoi këtë iniciativë dhe iu bashkangjit asaj. Sipas tij, e drejta për arsimim të lartë është e drejtë që u takon të gjithë qytetarëve, kurse e drejta për arsimim të lartë, studentëve duhet t’u garantohet në kushte të barabarta, pa privilegje për grupe të caktuara të studentëve. “Mbrojtja e studentëve nga korrupsioni është një interes i rëndësishëm publik. Prioriteti i çdo shoqërie është mbrojtja e këtyre të rinjve nga korrupsioni. Ne në Universitetin e Tetovës jemi të angazhuar plotësisht, në mënyrë që studentët tanë të fitojnë arsimim të lartë cilësor. Universiteti i Tetovës punon në përputhje me të gjitha standardet evropiane për arsimin e lartë. Universiteti i Tetovës është plotësisht i përkushtuar në implementimin e Ligjit për mbrojtjen e denoncuesve të korrupsionit. Në këtë kuptim, ndërmerren të gjitha masat e orientuara ndaj sigurimit të të drejtave të denoncimit, vendosjen e sistemit për paraqitjen e korrupsionit, procesuimin e paraqitjeve, dhe ajo që është më e rëndësishme, është sigurimi i mbrojtjes së personave të cilët paraqesin veprime të korrupsionit. Edhe pse bëhet fjalë për një një ligj relativisht të ri, si dhe koncept të ri, i cili deri më sot nuk ka ekzistuar në Republikën e Maqedonisë, konsiderojmë se ky ligj paraqet parakusht të rëndësishëm të luftës kundër korrupsionit. Me qëllim që të kemi një luftë të sukseshme kundër korrupsionit, për ne në Universitetin e Tetovës është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me studentët. Për këtë arsye, ne jemi në komunikim të përhershëm me përfaqësuesit e studentëve, ku ata në takimet e rregullta me Rektoratin e Universitetit kanë mundësi që lirisht t’i shprehin problemet e tyre, për të cilat Rektorati përherë shpreh mirëkuptim dhe vazhdimisht angazhohet që t’u del studentëve në ndihmë. Përveç kësaj, ne i inkurajojmë studentët tanë që t’u drejtohen dhe individualisht dekanëve dhe profesorëve të cilitdo fakultet, për çka e kanë përherë mbështetjen tonë të plotë”, tha Prof. dr. Hazir Pollozhani, Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës.

Sipas Ministreshës së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë, Dr. Renata Deskoska, edhe universitet, si çdo pjesë e shoqërisë nuk janë imune ndaj pranisë së korrupsionit. Sipas saj, për këtë nevojitet një qasje sistemore për të mundësuar parandalimin e shfaqjes së korrupsionit në universitete. Ajo, po ashtu shpalosi dhe mundësitë bazuar në ligjin për arsim të lartër “për mbrojtjen e informatorëve, si vegël për parandalimin e korrupsionit në universitetet në Maqedoni. Në këtë takim, ministresha Renata Deskoska, rektorëve të universiteteve ua dorëzoi Ligjin e ri për arsim të lartë, i cili pritet të shqyrtohet në një debat publik.

Në këtë Deklaratë shkruhet: “Mbështetur në autonominë e universitetit, të garantuar me kushtetutë, të përkushtuar për afrimin drejtë hapësirës europiane të arsimit, pozitën, të drejtat dhe dinjitetin e studentëve, përparimin e procesit mësimor dhe kërkimit shkencor, si dhe pozitën dhe dinjitetin e kuadrit mësimdhënës, me nënshkrimin e kësaj Deklarate, i riafirmojmë të gjithë hapat e ndërmarrë deri më sot, dhe njëherë e shprehim përkushtimin tonë për ngritjen e universitetit pa korrupsion. Duke pasur parasysh se studentët përmes arsimimit të tyre formojnë botëkuptimin etik dhe moral të profesionistëve të ardhshëm, me çka ndikojnë drejtpërdrejtë në drejtimin në të cilin do të zhvillohet shoqëria, solemnisht deklarojmë se: Universiteti në shekullin e 21 nënkupton mjedisin akademik në të cilin vlerësohet dituria e studentëve, e cila vërtetohet vetëm në bazë të mundit të dhënë të tyre, përkushtimit ndaj shkencës dhe zellin për punë. Edhe një herë, ne konfirmojmë se në bashkësinë akademike nuk ka pasur dhe nuk do të ketë vend për paragjykime dhe subjektivizëm. Kuadri mësimdhënës, pavarësisht nga disiplina e tyre profesionale, me përkushtim i promovon standardet etike në punën kërkimore-shkencore, gjatë kryerjes së obligimeve të veta mësimore. Universitetet do të angazhohen për parimet themelore të ligjshmërisë, ndershmërisë, përkushtimit për punë, profesionalizmit dhe kompetencës në punën me studentë dhe me komunitetin më të gjerë”, thuhet më tej.

Përndryshe, sipas Kodit Penal të Maqedonisë, prania e korrupsionit në arsimin e lartë, përbën vepër penale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat