Jo hapjes së kazinove dhe bastoreve

Tetova

Jo hapjes së kazinove dhe bastoreve

Më: 1 korrik 2018 Në ora: 23:52
Tetovë

 Për fat të keq fati i rinisë shqiptare, sidomos asaj në Tetovë është lënë në dorë të lojërave të fatit, kazinove dhe bastoreve. Sot, në vend që Tetovës t’i ofrohet që afër shkollave të ketë qendra edukative, sportive dhe kulturore, ky pushtet rinisë shqiptare i ofron në çdo kënd kazino dhe bastore.

Kështu kanë thënë përfaqësuesit e Forumit Rinor të Lëvizjes BESA, sipas të cilëve, pushteti aktual dhe udhëheqësia e Komunës së Tetovës kanë harruar që t’i ofrojnë rinisë aktivitet sportiv si ky që organizojmë sot ne, por edhe aktivitete të tjera kulturore edhe edukativo-arsimore. “Ne për çdo ditë bindemi se thënia e famshme e kësaj qeverie “jetë për të gjithë” po shëndrohet në një ankth për rininë shqiptare pasi që jeta që ofron ky pushtet është mjerimi dhe devijimi nga vlerat shoqërore dhe tradita e familjes shqiptare.

Ky pushtet që gjithmonë po flet për vlerat evropiane si duket po punon që rinisë shqiptare ti lerë dy rrugë: o kazinon dhe bastoren ose mërgimin në Evropë. Ne jemi mbledhur sot këtu për të dhënë mesazhin e fuqishëm se vizioni i Lëvizjes Besa për rininë shqiptarë është ndryshe nga ajo që ofron ky pushtet. Vendi i të rinjve shqiptarë është në aktivitete sportive si ky që po organizojmë ne sot, apo edhe aktiviteteve të tjera kulturore dhe edukativo-arsimore. Ne nuk do lejojmë që fati i rinisë shqiptare të mbetet në duart e lojërave të fatit. Apelojmë deri te Qeveria dhe te udhëheqësia e Komunës së Tetovës që urgjentisht të dëgjojë zërin e rinisë shqiptare dhe në vend që të lejojë hapjen e kazinove dhe bastoreve të investojë në hapjen e fushave të sportit, bibliotekave, kinemave dhe teatrove”, janë shprehur përfaqësuesit e rinisë së BESËS, me rastin e aktiviteteve sportiv që ka organizuar kjo parti me strukturat partiake në Tetovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat