Tetovë, ndërrimi i fasadës së Arkivit rrezikon trashëgiminë kulturore - Bota Sot
Tetovë, ndërrimi i fasadës së Arkivit rrezikon trashëgiminë kulturore

Tetova

Tetovë, ndërrimi i fasadës së Arkivit rrezikon trashëgiminë kulturore

Më: 9 tetor 2018 Në ora: 20:18
Tetovë

Ndërrimi i fasadës së objektit të Arkivit të Tetovës ka shkaktuar reagime të shumta në opinion. Disenjatori Ngadhënjim Mehmeti në këtë sheh edhe tentativë për zhdukjen e të kaluarës historike të Tetovës dhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore të këtij qyteti. Objekti në fjalë daton që nga viti 1905 dhe ka rëndësi historike për Tetovën.

“Kjo është për të ardhur keq, pasi që vendimmarrjen për këtë e marrin njerëz jo-kompetentë që mund të jenë byrokrat mediokër, që s`kanë kuptim as për të bukurën as për estetikën e as për trashëgiminë kulturore. Edhe më keq është se ne mësuan nga ministria e Kulturës së ky objekt është në procedurë e sipër për tu shpallur objekt i trashëgimisë kulturore por edhe duke qenë në këtë fazë dhe objekt i kësaj natyre, vazhdon të mbështillet me këtë fasadë për të cilën gjë, ne kërkojmë përgjegjësi nga ata që kanë nënshkruar apo ndërmarrë këtë vendim”, tha Ngadhënjim Memeti, aktivist-disenjator.

Drejtori i Arkivit Shtetëror të Maqedonisë Kiril Petrov arsyetohet se fasada ka qenë duke u shkatërruar andaj dhe është rinovuar. Ai madje mohon të ketë ditur se objekti është në procedurë të shpalljes objekt i mbrojtur.

“Projekt nuk ekziston por elaborat për fasadën i bërë në bazë të informatave të marra nga institucionet përkatëse me ç`rast në asnjë moment nuk hasëm në pengesë për rregullimin e fasadës. Dhe para ardhjes së sezonit të shirave dhe borës ne vendosëm ta rregullojmë fasadën për ta mbrojtur materialin e arkivit. A do hiqet apo jo fasada e re, kjo varet nga marrëveshja me institucionet me të cilat bisedojmë tani, problemin e zgjidhin institucinalisht dhe për ca ditë kjo do të zgjidhet”, u shpreh Kiril Petrov, drejtor i Arkivit të Maqedonisë.

Për hetimin e punëve rreth fasadës së re të objektit të arkivit të Tetovës, në kontroll sot kanë ardhur edhe pjesëtarë të Qendrës Nacionale për Konservim të Maqedonisë (QNK), të cilët konstatuan gjendjen dhe informacionin do e procedojnë në inspektoratin shtetëror

“Pas konstatimit të gjendjes reale do ndërmarrim aktivitetet konkrete për informimin e drejtorisë për mbrojtje të trashëgimisë kulturore sepse atje ka edhe inspektorë që edhe nga ana e tyre të bëhet hetimi. Sidoqoftë duhet patjetër të informohet shërbimi përkatës se kanë filluar këto lloj aktivitetesh dhe meqë tanimë është i evidentuar, të jap rekomandimet e veta për intervenimet që bëhen nëse të njëjtat janë në pajtueshmëri me pamjen, arkitekturën e tjerë”, pohoi Cvetanka Haxhipecova nga QNK.

Ndërkohë nga Ministria e Kulturës njoftojnë se punët rreth fasadës janë ndërprerë dhe së shpejti pritet edhe të hiqen pllakat e metalit me të cilët dëmtohet fasada e jashtme e këtij objekti me karakter historik për Tetovën.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera