U shënua 24 vjetori i themelimit të Universitetit të Tetovës

Tetova

U shënua 24 vjetori i themelimit të Universitetit të Tetovës

Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 10:31
Universiteti i Tetovës

Me një akademi solemne Universiteti i Tetovës shënoi 24 vjetorin e themelimit. Të ftuar në këtë akademi ishin edhe përfaqësues të Qeverisë, Kuvendit, rektor të universiteteve të ndryshme në vend, si dhe përfaqësues të botës shkencore dhe akademike. Rektori i UT-së, Vullnet Ahmeti fillimisht falënderoi studentët e parë që ngritën UT-në, nderoi themeluesin dhe rektorin e parë Fadil Sulejmani, familjen e dëshmorit Abdylselam Emini, si dhe të gjithë ata që ndihmuan në themelimin e UT-së në forma të ndryshme.

Ahmeti në fjalën e tij poashtu numëroi sukseset e arritura deri më tani duke theksuar mbështetjen për studentët e shkëlqyeshëm si për ciklin e parë ashtu edhe për ciklin e dytë, organizimin e konferencave shkencore, programin e përbashkët me universitetin e Ilionisit verior dhe shumë aktivitete të tjera.

Vullnet Ahmeti, rektor i UT-së: Në këtë përvjetor të rëndësishëm të Universitetit të Tetovës, fjalën time do ta nis me falënderim dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë studentët tanë, të cilët 24 më parë me guximin shembullor dhe pa asnjë hezitim u bënë shtylla më vitale e çerdhes së parë të arsimit të lartë shqip, në këto hapësira. Ata u bënë protagonistët, misionarët, pishtarët dhe bartësit kryesorë të platformës së Universitetit të Tetovës, të themeluar nga intelektualët shqiptarë në krye me rektorin e parë dhe historik prof.dr Fadil Sulejmanin. Dua të shpreh respektin tim të thellë edhe për dëshmorin e arsimit shqip Abdilselam Eminin, gjaku i të cilit u bë dritë e diturisë në rrugën e ndërtimit të Universitetit të Tetovës.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi tha se qeveria është e angazhuar seriozisht që në partneritet me menaxhmentin e arsimit të lartë ta ngrenë në nivele edhe më të larta cilësinë e arsimit, që njëherit është kërkesë e të rinjve, duke qenë të vetëdijshëm se vetëm me studime të thelluara mund të shënojnë rezultate si në rrafshin personal ashtu edhe në atë profesional. Për 24 vjetorin e themelimit të UT-së ai tha se sot e shënojmë edhe sakrificën e gjithë familjeve për themelimin e këtij institucioni të dijes.

Sinkron: Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës: Është momenti i duhur që të shprehim falënderimin tonë të thellë për të gjitha ata profesorë nga Kosova, nga Shqipëria të cilët dhanë kontribut të çmueshëm duke i respektuar të gjitha standardet profesionale që ky universitet të punojë dhe të funksionojë ashtu siç duhet në përputhje edhe me kornizën e atëhershme e të sotshme juridike e ligjore.

Në këtë akademi me një fjalë rasti në emër të kryeministrit Zoran Zaev u paraqit këshilltari i tij Ismet Ramadani i cili tha se kryeministri është i interesuar edhe për Universitetin e Tetovës duke përmendur shpesh këtë institucion si shembull bashkëpunimi me universitetet e tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat