Çmimet i rrit qiraja e tregut. Agroushqimori i Tiranës, me tarifa të kripura

Tirana

Çmimet i rrit qiraja e tregut. Agroushqimori i Tiranës, me tarifa të kripura

Më: 8 shkurt 2019 Në ora: 12:37
Foto Ilustrim

Tregu agroushqimor i Tiranës është i vetmi në llojin e tij në kryeqytet. Prej 5 vitesh, ky treg zotërohet nga kompania “EKMA Albania”, që abuzon me tregtarët që marrin ambiente me qira në këtë treg. Sipas këtyre të fundit, çmimi i metrit katror për të marrë një magazinë në tregun agroushqimor varion nga 1.200 lekë deri në 1.800 lekë. Kjo në varësi të pozicionit.

“Ne kemi ankesa vetëm për punën e qirasë, që janë shumë më të larta sesa duhet, dhe së dyti energjia elektrike”, tha një tregtar.

Por si janë çmimet në krahasim me ish-Uzinën “Dinamo”?

“Sigurisht që janë më të larta. Atje paguanim 70 metra katrorë, 4.000 lekë, ndërsa këtu kam 50 metra katrorë dhe paguaj 6.000 lekë. Shteti duhet të ndërhyjë, të japë licencë për hapjen e një tregu tjetër, nëse këta nuk duan të ulin çmimin”, tha më tej tregtari.

Disa muaj më parë, Autoriteti i Konkurrencës i vendosi këtij tregu një gjobë prej 400 mijë eurosh, pasi ka abuzuar me tregtarët. Një gjë e tillë është edhe te çmimi i energjisë elektrike. OSHEE e faturon çmimin e energjisë elektrike me 13.2 lekë për kilovat, ndërsa administratorët ua faturojnë tregtarëve me 20.2 lekë për kilovat. Tregtarët janë shpërngulur 5 vite më parë pranë këtij tregu, me dhunë nga autoritetet lokale. Duket se ky treg dhe këto abuzime sjellin të mira materiale për administratorët e kompanisë “EKMA Shpk”, por një gjë e tillë ndikon rëndë në xhepat e konsumatorëve shqiptarë, pasi produktet agroushqimore vijnë me një çmim tepër të kripur.

“Njerëzit ankohen për çmimet, sepse tregu atje është privat. Duke qenë i tillë, atje i vendosin si t’iu dojë qejfi çmimet”, tha një tregtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat