Investime për fëmijët edhe në periferi, këndi i 43 i lodrave ndodhet në Vaqarr

Tirana

Investime për fëmijët edhe në periferi, këndi i 43 i lodrave ndodhet në Vaqarr

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 15:26
Këndi i 43 i lodrave ndodhet në Vaqarr

Falë projektit të Bashkisë së Tiranës “Luaj Tirana”, i cili po shtrihet edhe në zonat rurale, fëmijët e Vaqarrit kanë një kënd të ri lojërash. Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte sot në hapjen e këndit me sipërfaqe 1155m2, që plotëson nevojat e të gjitha grupmoshave të komunitetit në zonë, me module e lodra për fëmijë e hapësira çlodhjeje për më të rriturit.

Ai theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur, duke shtrirë investimet jo vetëm në qendër, por edhe në zonat rurale. “Është gjithmonë kënaqësi e jashtëzakonshme rikthimi në Vaqarr. Ky është këndi ynë i 43-të në 43 muaj punë në Bashkinë e Tiranës. Pas këndeve të lojërave në Krrabë, në Dajt, në Kashar, në Farkë, tani kemi edhe këndin e lojërave në Vaqarr, për t’u siguruar që fëmijët e Tiranës, pavarësisht ku jetojnë, në ish komuna apo në qendër të Bllokut, të kenë të njëjtin akses për një fëmijëri të shëndetshme”,deklaroi Veliaj.

Por, investimet në zonën e Vaqarrit nuk ndalen këtu. Bashkia e Tiranës do të vijojë punën e nisur për rikonstruksionin shkollave në këtë zonë, mbjelljen e pemëve, ndërkohë që Liqeni i Vaqarrit po transformohet tërësisht, nga një vend grumbullim mbetjesh në një park të vizitueshëm. “Do të vazhdojmë edhe me mbjelljet, edhe me rikonstruksionin e shkollave. Vaqarri ishte ai që vuante më shumë nga landfilli i vjetër i Sharrës; por landfilli i ri jo vetëm ka eliminuar mbetjet, helmet dhe djegiet që ndodhnin aty, ndërsa sot është kthyer në një park. Ndërkohë, po i rikthejmë fytyrën e vërtetë liqenit të Vaqarrit. Ka qenë një zonë pyjore, me pisha, e degraduar, e vjedhur, e prerë, e shkatërruar, sot po rimbillet”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat