Tirana mikpret për herë të parë Forumin Ndërkombëtar të Arkitektëve dhe Inxhinierëve

Tirana

Tirana mikpret për herë të parë Forumin Ndërkombëtar të Arkitektëve dhe Inxhinierëve

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 14:12
Erion Veliaj

Për herë të parë, Tirana u bë pritësja e Forumit Ndërkombëtar të Arkitektëve dhe të Inxhinierëve për të diskutuar mbi projektet dhe idetë e fundit në këtë fushë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bëri një prezantim të shkurtër të investimeve të rëndësishme infrastrukturore që kanë transformuar kryeqytetin në këto katër vite dhe projektet e ardhshme për Tiranën.

Ai theksoi se kryeqyteti shqiptar po përjeton një periudhë ndryshimi, ndërsa vlerësoi rolin e arkitektëve në përmirësimin e jetës së komunitetit në qytet. Teksa renditi shumë prej projekteve të rëndësishme që janë realizuar në kryeqytet brenda një periudhe të shkurtër si Bulevardi i ri, Pazari i ri, sheshi Skënderbej etj, Veliaj shtoi se transformimi është edhe çështje mentaliteti.

“Tirana e Re në vitet e ardhshme do të jetë në anën tjetër, atje ku ndodhet Bulevardi i Ri. Kemi bërë sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri, dy projekte që janë vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare. Por, pyetja është: Cila është sfida më e vështirë arkitekturore? Për mua, nuk është infrastruktura masive, por 10 centimetrat në kokën tonë. Kjo është hapësira më e vështirë, që duhet të ndryshojmë. Shumë prej nesh e mendojnë transformimin vetëm në termat e elementëve të hapësirës fizike, ndërkohë që duhet të ndryshohet mentaliteti”, tha ai. Veliaj shprehu bindjen se Tirana është një qytet që ka shpresë, ndërsa e cilësoi të shëndetshëm diskutimet mbi projektet transformuese të realizuara apo të nisura në kryeqytet.

“Është e shëndetshme të kesh një debat për propozimin e Bjarke Ingels për teatrin. Është e shëndetshme të kesh një debat për projektin thuajse të përfunduar të Casamontit për Stadiumin.

Është e shëndetshme të kesh një debat për Pyllin Orbital të Stefano Boerit, për të parë se cila është mënyra më e mirë për të ecur përpara”, tha ai, ndërsa solli si shembull edhe debatet që u bënë fillimisht me ndërtimin e këndit të lojërave në Parkun e Madh të Liqenit, i cili sot është një histori suksesi që u pasua nga 43 kënde të tjera lojërash në lagje të ndryshme të kryeqytetit.

“Share architects” është një forum ndërkombëtar që mbledh arkitektët dhe inxhinierët më të njohur në diskutimet, projektet dhe idetë më të fundit në këtë fushë. Ky forum do të ketë këtë vit 11 takime në mbarë Europën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat