Veliaj: Edhe 2 muaj për të mbjellë 100 mijë pemë

Tirana

Veliaj: Edhe 2 muaj për të mbjellë 100 mijë pemë

Më: 2 mars 2019 Në ora: 15:05
Erion Veliaj

Bashkia e Tiranës vijon fushatën për mbjelljen e pemëve pranë Parkut të Liqenit Artificial që sipas kryebashkiakut Veliaj ka dyfishuar hapësirat e gjelbra.

“Bashkia i ka kthyer qytetit diçka mbrapsht me Liqenin, është dyfishuar si sipërfaqe, tani duhet të dyfishojmë edhe pyllëzimin. Mbaj mend, po flisnim para katër vitesh kur e nisëm këtë betejë, jo mos ma prek këtë, jo mos ma prek atë! Mbaj mend që ka qenë një pjesë e madhe landfill, digjeshin qese, plehra, shishe, mbeturina; herë pas here konflikt, herë pas here binte zjarr. Edhe komuniteti rom sot ka kushte shumë më të mira, por ama edhe qyteti ka rifituar një pjesë të parkut që s’e kishte parë prej vitesh”.

Veliaj thotë se Bashkia do të vazhdojë me intensitet projektin e mbjelljeve të pemëve dhe të krijimit të Pyllit Orbital.

“Këtë vit jemi shumë pranë 100 mijë pemëve, por kemi edhe dy muaj kohë, ndaj do të ftoja të gjithë ata që duan t’i japin mbrapsht diçka Tiranës, kësaj Tirane të bukur e të madhe që i jep gjithmonë dashuri njerëzve, nëse duan t’i dhurohet diçka mbrapsht, dhurata më e bukur do ishte një pemë. Kemi plot arsye për të dhuruar dhe besoj se duke filluar nga kompanitë më në zë të vendit tonë e deri tek një shtëpi modeste, dhurimi i një peme është ndoshta gjëja më e bukur që mund të bëjmë në këtë sezon, për t’i dhënë Tiranës pak dashuri nga ajo që na jep përditë”.

Veliaj vlerësoi solidaritetin e qytetarëve që i janë bashkuar nismës së mbjelljes së pemëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat