Festimet për ditën e verës do të zhvillohen në 17 mars

Tirana

Festimet për ditën e verës do të zhvillohen në 17 mars

Më: 11 mars 2019 Në ora: 14:10
Ilustrim

Kryebashkiaku Veliaj njoftoi se festimet e Ditës së Verës do të zhvillohen të dielën, në 17 Mars, pasi në datën 14 Mars parashikohet mot i ftohtë dhe me shi.

Qytetarët janë shprehur pro zhvillimit të festimeve në datën 17 Mars edhe nga sondazhi i zhvilluar në rrjetet sociale nga Bashkia e Tiranës, ku morën pjesë më shumë se 10 mijë persona.

“Falë 10 mijë votave të qytetarëve kemi vendosur që Ditën e Verës ta festojmë në ditë me diell dhe jo me shi. Në fund të ditës, festojmë jo për qejf të kalendarit, por për qejf të njerëzve. Meqë shumica e njerëzve duan që të mos lagen dhe fëmijët ta gëzojnë Ditën e Verës për t’u argëtuar në Tiranë, ku do të ketë rreth 50 aktivitete, me mbi 80% të votave qytetarët vendosën se duan ta festojnë të dielën, sidomos edhe ata që janë në punë private dhe ndoshta të enjten nuk kanë mundësi”, tha Veliaj.

 Ai shtoi se kështu, qytetarët e Tiranës dhe në mënyrë të veçantë fëmijët, kanë mundësinë që të festojnë dhe t’i gëzohen të gjitha aktiviteteve që ka organizuar Bashkia e Tiranës për këtë ditë. Veliaj ftoi të gjithë banorët e Tiranës që t’i bashkohen festimeve të dielën.

“Prej çështjes së shiut Tirana fiton një festë shumë të madhe. Ndaj, në datë 17, siç jemi, si lagje, do të shihemi të gjithë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në dhjetëra aktivitete te Liqeni i Tiranës, për të kaluar një ditë të paharrueshme dhe për ta filluar mbarë këtë stinë të re për Tiranën dhe për gjithë Shqipërinë”, u shpreh Veliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat