Skenë si në filma aksion, kush është polici 29-vjeçar që shtriu përtokë grabitësin

Tirana

Skenë si në filma aksion, kush është polici 29-vjeçar që shtriu përtokë grabitësin

Më: 29 mars 2019 Në ora: 21:24
Foto

Arratia e njëri prej grabitësve ka zgjatur shumë pak, falë ndërhyrjes së guximshme të dy efektivëve të Policisë Rrugore në Tiranë, të cilët arrestuan drejtuesin e motorit, por pasagjeri arriti të largohej bashkë me paratë e grabitura.

Agron Shira sapo doli nga Exchange i tij në “Rrugën e Barrikadave”, me 60 mijë dollarë, kur u sulmua nga dy personat e kamufluar me kapuç e doreza. Paratë ai do t’i çonte pranë një banke të nivelit të dytë.

Grabitja ndodhi në sy të qindra qytetarëve të cilët fillimisht e raportuan në polici si një aksident rrugor, për shkak se Shira u godit nga pas nga motori i dy autorëve. Më pas u godit me thikë dhe me levë në kokë. Shira ka rënë në tokë pa ndjenja në tokë dhe mori ndihmën e qytetarëve deri në mbërritjen e ambulancës. Si rrallë herë kohët e fundit, kur qytetarët zgjedhin të nxjerrin telefonat celularë për të filmuar, duke qëndruar indiferent, këtë radhë janë munduar t’i japin ndihmën e parë kambistit të lënduar.

Vëmendja dhe reagimi i shpejtë i dy efektivëve rrugorë të cilët ishin në krye të detyrës në Rrugën e Barrikadave, pranë vendit të ngjarjes, bëri të mundur pikasjen e autorëve.

Efektivët F.H dhe O.Zh, kanë parë motorin teksa bënte lëvizje të çrregullta në rrugë. I kanë bërë shenjë të ndalojë, por kanë hasur në refuzimin e tyre për tu ndalur. Dy efektivët e rinj në moshë, i janë vënë në ndjekje motorit duke ju hedhur sipër grabitësve. Njërin prej tyre arritën ta neutralizojnë duke i vënë prangat dhe duke i sekuestruar edhe thikën dhe një levë që ai mbante. Ndërsa pasagjeri në motor, mundi të largohej. Megjithatë, ai është identifikuar nga policia dhe është shpallur në kërkim. Një 36-vjeçar nga zona e Alliasit.

Efektivët e Policisë Rrugore të Tiranës  i janë hedhur sipër motorit, ku mësohet se njëri prej tyre, me inicialet O.Zh, ka mbetur edhe i lënduar në dorë në tentativë për të ndalur grabitësit. Është rrëzuar nga motori në ecje, bashkë me autorët dhe janë zvarritur 2-3 metra. Aty punonjësit e policisë rrugore kanë shtrirë në tokë një nga autorët, i cili më tej është shoqëruar në polici.

Njëri prej efektivëve është vetëm 29 vjeç. Dhe është pikërisht personi që ndodhet mbi trupin e autorit teksa e mban të neutralizuar. Ka tre vite në Policinë e Shtetit. Ka punuar në komisariate të Rendit, dhe tashmë prej 9 muajsh është punonjës në Komisariatin Rrugor të Policisë së Tiranës. Kolegët e njohin për një njeri mjaft të guximshëm, por mbi të gjithë me një pasion të rrallë për profesionin e tij. Nëse do të ishte mundësia, do të qëndronte gjithë ditën me uniformën e policisë veshur – tregojnë kolegët dhe njerëz të afërt të tij. I drejtuar nga pasioni i madh për uniformën, e sheh veten gjithnjë e më lart në karrierë. E duket se kjo është një shenjë shumë e mirë për rrugëtimin e tij në Policinë e Shtetit.

 

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat