Bashkia e Tiranës hap tenderin, 4 shkolla me koncesion

Tirana

Bashkia e Tiranës hap tenderin, 4 shkolla me koncesion

Më: 1 prill 2019 Në ora: 15:17
Foto

Bashkia e Tiranës hapi tenderin për ndërtimin e 4 shkollave me koncesion në kryeqytet, përkatësisht në Dajt dhe Njësitë Administrative 2 dhe 8.

Sipas dokumenteve të dorëzuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit për ndërtimin e 4 objekteve arsimore është parashikuar 1.74 miliardë lekë pa TVSH, ose rreth 14 milionë euro, me një kosto mesatare prej 3.5 milionë euro për çdo shkollë.

Ky është tenderi i radhës, i një koncesioni që parashikon ndërtimin e 17 shkollave të reja në Tiranë. Projekti parashikon që privatët t’i ndërtojnë objektet arsimore me paratë e tyre brenda një afati prej 18 muajsh, duke përfshirë edhe mobilimin dhe pajisjen me laboratore.

Përveç ndërtimit, koncesionarët do të kenë detyrimin edhe edhe t’i mirëmbajnë shkollat për një periudhë 7-vjeçare. Në këmbim, Bashkia e Tiranës do t’i shlyejë me këste për 7 vite, përmes të ardhurave që mbledh nga taksa lokale e arsimit.

Sipas të dhënave në relacionin e projektbuxhetit, ndërtimi i 17 shkollave në kryeqytet do të ketë një kosto totale prej 10.1 miliardë lekësh. Pagesat e para për këtë koncesion pritet të nisin vitin e ardhshëm, kur Bashkia e kryeqytetit do të paguajë 1 miliard lekë, ndërkohë që në vitet pasardhëse fatura do të vijë duke u rritur.

Bashkia e Tiranës e ka argumentuar koncesionin me nevojën për të eliminuar mësimin në orët e pasdites, si dhe mbipopullimin e klasave në kryeqytet, investim të cilin aktualisht nuk ka mundësi ta realizojë me paratë e veta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat