Balldren-Bend, fundi i shumëpritur i odisesë 25-vjeçare të një rruge të pakalueshme

Tirana

Balldren-Bend, fundi i shumëpritur i odisesë 25-vjeçare të një rruge të pakalueshme

Më: 6 prill 2019 Në ora: 17:06
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kantieri për ndërtimin e rrugës Balldren-Bend në Qarkun e Lezhës është hapur pas mbi 20 vitesh. Janë rreth 10 mijë banorë të njësive administrative Torovicë, Balldre, Malecajve, Shkëmbit të Kuq e Kolajakave që përfitojnë direkt nga rikonstruksioni i saj.

”Fushë Torovicë, Lezhë – Vjen fundi i shumëpritur i odisesë njëzetë e pesëvjeçare të një rruge të pakalueshme, gropash e gënjeshtrash të kujtdo u mori votat e pastaj u ktheu shpinën banorëve të Torovicës”, tha kryeministri Edi Rama mbi këtë investim i cili iu vjen në ndihmë banorëve të zonës.

E gjithë rruga prej 19.3 km, që kalon nëpërmjet qendrës së banuar të Torovicës, do t’i nënshtrohet projektit për rikonstruksionin e plotë. E amortizuar dhe me rrezikshmëri të lartë në pjesë të veçanta të saj, ky aks ishte kthyer në pengesë serioze për komunikimin normal të mjeteve dhe këmbësorëve.

Përfundimi i rrugës do të ndikojë direkt në aksesin e fermerëve drejt tregjeve, gjithashtu duke e kthyer këtë nyje në një aks të rëndësishëm për lëvizjen e mjeteve dhe banorëve të saj. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat