Tiranë, kujtohen dy pilotët që humbën jetën në krye të detyrës

Tirana

Tiranë, kujtohen dy pilotët që humbën jetën në krye të detyrës

Më: 6 prill 2019 Në ora: 21:16
Foto

“Dëshmorët e Atdheut”, kapiten Florian Delia dhe toger Donald Hoxha u përkujtuan sot në Tiranë në trevjetorin e rënies në krye të detyrës. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast mori pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku.

Në ceremoninë përkujtimore, e cila u zhvillua në ambientet e Bazës Ajrore në Farkë ishin të pranishëm gjithashtu edhe zëvendëskomandanti i Forcës Ajrore, kolonel Editson Zarka, drejtorë drejtorish në SHP, kolegë, familjarë të dëshmorëve, veteranë.

“Në emër të përgjegjësisë për kryerjen e detyrës ata u ngritën edhe në atë fluturim të fundit, tre vite më parë, më 6 prill 2016, për të ardhur tek ne si heronjtë dhe dëshmorët më të rinj të Aviacionit shqiptar, të Forcës Ajrore, të Forcave të Armatosura shqiptare. Ata u ndanë nga njerëzit e tyre më të dashur, nga shokët dhe miqtë për ta gdhendur dhe përjetësuar portretin dhe emrin e tyre në kurorën e lavdisë së historisë së Aviacionit ushtarak shqiptar. Nderim për jetën, punën dhe sakrificën e këtyre heronjve.”, theksoi gjeneral brigade Kollçaku.

Më pas, u kryen homazhe dhe u vendosën kurora me lule në Memorialin e Dëshmorëve në Farkë si dhe në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut.

Edhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka nderoi kujtimin e dy dëshmorëve të Atdheut, duke shprehur respektin për kapiten Florian Delia dhe toger Donald Hoxha në 3-vjetorin e rënies së tyre në krye të detyrës, raportoi Atsh.

Kapiten Floran Delia dhe toger Donald Hoxha, ranë në krye të detyrës në mesditën e 6 prillit të vitit 2016 gjatë një fluturimi stërvitor në Grizhë të Malësisë së Madhe.

Të dy ushtarakët janë shpallur ‘’Dëshmorët e Atdheut’’ nga Komisioni Shtetëror për Dëshmorët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat