Tirana do të ketë së shpejti flotën e autobusëve elektrikë, që do të qarkullojnë në rrugët e kryeqytetit. Faktin e bëri të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një takimi të organizuar nga ambasada hungareze për promovimin e teknologjisë në mirëmenaxhimin e qyteteve.
Erion Veliaj: “Sapo kemi bërë porosinë për dy autobusë elektrikë që prodhohen në Hungari, për të ardhur në Tiranë. Do ta fillojmë transformimin e flotës dy e nga dy.”
Duke iu referuar pikërisht mundësisë që ofron tashmë aplikacioni “Tirana Ime”, për matjen e nivelit të ndotjes së ajrit në Tiranë, Veliaj bëri publike disa të dhëna, të cilat tregojnë se në orët e para të ditës, ka rezultuar një nivel më i ulët grimcash të dëmshme se sa në momentin kur ka një qarkullim të shtuar të automjeteve.
Erion Veliaj: “Nëse shikojmë të dhënat për sheshin “Skënderbej”, monoksidi i karbonit është shumë i ulët, po ashtu edhe dioksidi i squfurit; ky është një lajm i mirë. Kurse, dioksidi i azotit është në nivel mesatar krahasuar me Bashkimin Evropian, që do të thotë sërish një lajm i mirë. Po ashtu edhe ozoni është në nivel të ulët. Ama, grimcat PM 2.5 dhe PM10, të cilat emetohen nga makinat që përdorim çdo ditë, janë në nivele të mesme. Nëse matjet i bëjmë në orën 8 të mëngjesit kur dalim nga shtëpitë dhe në 5 pasdite, kur kthehemi në shtëpi, këto shifra, sidomos dy të fundit, që janë grimcat që dalin nga marmita e makinës, janë më të larta”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se kryeqyteti është i destinuar që të rritet dhe ky është një realitet i kohëve moderne.