Segmenti i tretë i Bulevardit të Ri, Veliaj: Pas zgjedhjeve i kthehemi punës në qytet

Tirana

Segmenti i tretë i Bulevardit të Ri, Veliaj: Pas zgjedhjeve i kthehemi punës në qytet

Më: 3 korrik 2019 Në ora: 14:17
Foto

Segmenti i tretë i Bulevardit të Ri të Tiranës ka përfunduar. Kështu ka bërë me dije Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inspektoi sot përfundimin e punimeve të kryera në këtë segment, i shoqëruar edhe nga përfaqësuesi i Fondit për Zhvillim të Abu-Dhabit, Khalid Mansoori dhe ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed Meer Al Raeesi. Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur që brenda mandatit të parë u bë i mundur përfundimi i këtij projekti, i cili sipas tij i jep qytetit një “shtyllë kurrizore” dy herë më të gjatë, si dhe një zhvillim të balancuar.

“Jam shumë i kënaqur që pas zgjedhjeve i rikthehemi punës normale, iu rikthehemi kantiereve të qytetit tonë, i rikthehemi Tiranës e cila vitin tjetër përgatitet të mbushë 100 vjeç. Këtu jemi në hapësirën që do identifikojë 100 vitet e ardhshme të Tiranës. Nëse bulevardi i vjetër ishte i këtij 100 vjetori të parë, Bulevard i Ri besoj i ka shtruar të gjithë infrastrukturën për Tiranën e 100 viteve më pas, në atë që duam ta quajmë zonën Fin – Tech, pra e financave dhe e teknologjisë për qytetin”, tha Veliaj.

Ai bëri të ditur se me përfundimin e punimeve në këtë segment të fundit, projekti i Bulevardit të Ri konsiderohet i përfunduar, para se të realizohet edhe projekti i sheshit fundor, i ngjashëm me sheshin “Nënë Tereza”. “Kemi mbaruar segmentin final të Bulevardit dhe jam shumë i lumtur që miqtë tanë, ambasadori i Emirateve dhe Fondi i Abu-Dhabit, janë këtu me ne, për të parë se si në kohë rekord dhe me efiçencë maksimale kemi arritur që të përfundojmë një nga projektet më jetike të Tiranës, kemi vënë një shenjë që do të jetë këtu për nipat e mbesat e të gjithë atyre që kanë punuar”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se në këto 4 vite u rikuperua puna e pa bërë nga administrata e mëparshme, ndërsa nënvizoi se e gjithë zona përreth bulevardit ka nisur të marrë një zhvillim të madh.

“Projekti ‘lloci’, e thonë tironsit, për nja 4 vite. Çfarë ndodhi, ndodhi, por u munduam të rikuperonim shumë shpejt kohën që humbëm në ato 4 vite. Më vjen mirë që tani jemi gati vetëm për sheshin monumental, që duam të bëjmë në fund të Bulevardit dhe mezi pres të shqyrtojmë 10-15 aplikimet e para që na kanë ardhur për zhvillime. Dua të falenderoj kolegët tanë nga Fondi i Abu Dhabit që besuan tek ne. Më kujtohen ditët e para të hezitimit, por fakti që patën besim, që i dhanë një shans të dytë administratës së re, që të rikuperonim kohën e humbur, më bën të ndihem shumë krenar”, shtoi Veliaj.

Ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed Meer Al Raeesi, falenderoi Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin për realizimin e këtij projekti, ndërsa vlerësoi edhe cilësinë e punimeve të kryera.

“Është një kënaqësi dhe një nder i madh për mua që të jem sot këtu për ceremoninë e hapjes së dy projekteve që mundësohen nga Fondi i Abu Dhabit dhe Bashkia e Tiranës. Ata janë duke bërë një punë të shkëlqyer dhe jemi të lumtur për këtë. Jam i sigurt që nuk do të jetë projekti i fundit këtu. Ne kemi një traditë të mrekullueshme me shqiptarët, me Shqipërinë, dhe jemi të mirëseardhur dhe dashtë Zoti do të shohim më shumë gjëra në të ardhmen”, tha ai. Drejtori i Financave të Fondit për Zhvillim i Abu-Dhabit u shpreh i lumtur që bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës finalizohet me përfundimin e këtij projekti që do sjellë zhvillim në Tiranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat