Veliaj ironizon protestën e opozitës: Bëhet për shkak të interesave të disa politikanëve

Tirana

Veliaj ironizon protestën e opozitës: Bëhet për shkak të interesave të disa politikanëve

Më: 10 korrik 2019 Në ora: 14:17
Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ironizuar protestën e opozitës duke u shprehur se bëhen për shkak të interesave të disa politikanëve. Veliaj foli nga “Qyteti Studenti”, ku bashkia rikonstruktoi godinat 9 dhe 10 dhe tha se puna do vijojë edhe me  3 godinat e fundit që kanë mbetur.

Erion Veliaj: “Një nga gjërat që më shqetëson më shumë me gjithë tollovinë, me protestat, sherret, është se ka një grup të vogël politikanësh që duan ta çojnë vëmendjen e miletit te hallet e tyre. Ndërkohë, sforco jonë është që vëmendjen, energjinë, financat tona dhe gjithë përkushtimin, ta çojmë te hallet e njerëzve. Unë besoj se këtu ka dy lëvizje paralele: Një që thotë merruni me hallin tim dhe tjetra që thotë merremi me hallin real të njerëzve.”

Ndërkohë kjo është pamja që kanë marrë godinat ku jetojnë dhe studiojnë rreth 600 vajza. Gjatë inspektimit të punimeve, Veliaj tha se ky është një premtim i mbajtur.

Erion Veliaj: “Jam shumë entuziast kur shikoj se si shumë nga kantieret që filluam në “Qytetin Studenti” po mbyllen. Konvikti 9 dhe 10 ka 200 dhoma, më i madh se hoteli më i madh në Tiranë. Të bësh një rikonstruksion hoteli merr 1 apo 2 vjet, por ta bësh në 1 apo 2 muaj është realisht një arritje e jashtëzakonshme.”

Kryebashkiaku i bëri thirrje studentëve që të regjistrohen në gjendjen civile në zonën ku jetojnë, në mënyrë që bashkia të shpërndajë më mirë investimet dhe shërbimet në komunitet, përfshi edhe kartën e studentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat