Veliaj: Politikanët të mos përdorin lidhjen me Holandën për të nxirë vendin

Tirana

Veliaj: Politikanët të mos përdorin lidhjen me Holandën për të nxirë vendin

Më: 11 korrik 2019 Në ora: 15:35
Pamje nga takimi

Gjatë takimit të arkitektëve dhe urbanistëve të njohur nga vendet e ulëta të Europës, në Roterdam, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, foli për transformimin e kryeqytetit. Ai përcolli edhe një mesazh për politikën që të bashkohet për interesat e vendit.

I ftuar në takimin e arkitektëve dhe urbanistëve në Roterdam, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, iu drejtoi një thirrje politikanëve shqiptarë, duke shigjetuar opozitën, që të mos bëjnë politika që dëmtojnë mbi të gjitha interesat e qytetarëve.

Veliaj: “E kuptoj që lidhjen me Holandën dhe njohjen që kanë me politikën këtu, disa politikanë e përdorin jo si një mundësi për ta ngritur lart Shqipërinë, por si mundësi për ta sharë, fyer e denigruar atë, por kjo duhet të marrë fund. Ndaj, besoj se si qytet, si histori suksesi e Tiranës, platforma të tilla të arkitekturës dhe urbanistikës janë një mundësi fantastike për të rrëfyer historinë e Shqipërisë”.

Duke u shprehur krenar për transformimin që ka pësuar Tirana, Veliaj theksoi se takime të tilla, ku Tirana prezantohet me arritjet e saj pozitive në fusha si arkitektura dhe urbanistika, janë një mënyrë e mirë për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë.

Veliaj: “Është posaçërisht kënaqësi kur e bëjmë këtë në Holandë, një vend që duhet ta pranojmë, është skeptik, ka nevojë për më shumë informacion, ka nevojë të kuptojë se Shqipëria është një vend evropian, dhe rreziku nuk vjen nga Shqipëria e vogël kur sheh gjithë këto transformime. Bëhet sfidë komunikimi i historisë së suksesit të Shqipërisë në Holandë, sidomos kur kemi një pjesë të politikës që ka lidhje me Holandën dhe që mundohet që sherret, mëritë, zemëratën, e debatet e Shqipërisë t’i kalojë edhe në Holandë. Do të doja që të ishim një ‘antidot’ dhe do të jemi më të pranishëm në Holandë me takime të tilla, për t’u siguruar që dëgjohet e gjithë historia."

Kryebashkiaku tha se është shumë e rëndësishme që e gjithë klasa politike të bashkohet dhe të mendojë më shumë për interesat e vendit se sa për interesat e ngushta të politikës së ditës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat