Aleanca për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kërkon takim me delegacionin e OSBE

Tirana

Aleanca për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kërkon takim me delegacionin e OSBE

Më: 25 korrik 2019 Në ora: 15:12
Ilustrim

Aleanca për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i ka dërguar një letër OSBE duke i kërkuar një takim me delegacionin mbi vendimin e qeverisë për shembjen e teatrit.

Në letrën e drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OSBE, Thomas Greminger, Aleanca shkruan se çështja e Teatrit është mishërim i krizës politike në Shqipëri.

Ndërsa theksohet se 'reforma në drejtësi’, i ka dhënë mundësi qeverisë të pushtojë çdo pushtet vendimmarrës në Shqipëri.

Gjithashtu shkruhet se lejimi i një gjendje të tillë do të dëmtonte besimin e publikut shqiptar ndaj institucioneve ndërkombëtare.

Letra e plotë:

Ne, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, një grup artistësh dhe qytetarësh që jemi bërë bashkë për të mbrojtur ndërtesën e Teatrit Kombëtar, ju kërkojnë në mënyrë miqësore dhe do ishim shumë të nderuar, të takonim delegacionin tuaj gjatë vizitës suaj këtu. Ndërkohë që në syrin e publikut të huaj çështja e Teatrit mund të duket një problem i brendshëm ne mund  t'ju garantojmë ju se është fakt i qartë i mishërimit të krizës politike në Shqipëri.

Shpronësimi i truallit publik dhe privat që rrethon Teatrin Kombëtar është bërë i mundur nga një i ashtuquajtur ligj special.

Gjithçka që vjen më pas, nuk është gjë tjetër veç legalizimit të vjedhjes, e bërë e mundur falë faktit që Shqipëria nuk ka një Gjykatë Kushtetuese për të paktën dy vjet.

Mungesa e një Gjykate Kushtetuese, rezultat i të ashtuquajturës ‘reforma në drejtësi’, i ka dhënë mundësi qeverisë të pushtojë çdo pushtet vendimmarrës në Shqipëri.

Nuk e ekzagjerojmë aspak kur themi se qeverisemi nga dekretet  dhe çdo vendimmarrje, sado e rëndë mund të jetë, është e lejueshme, për sa kohë që qeveria e aprovon.

Z. Sekretar i Përgjithshëm, Komuniteti ndërkombëtar i ka kushtuar shuma të mëdha monetare dhe burime njerëzore për të ndërtuar një demokraci funksionale, shtet ligjor, ndarje të pushteteve dhe balancave në Shqipëri. Asnjë nga këto nuk ekziston në këtë moment dhe Ekzekutivi, i kontrolluar personalisht nga kryeministri Rama, është totalisht i shfrenuar, ashtu siç tregon edhe çështja e Teatrit Kombëtar. Ne besojmë se do ishte një gabim fatal, gabim i cili do dëmtonte besimin e publikut shqiptar ndaj institucioneve ndërkombëtare, nëse një gjendje e tillë do lejohet të vazhdojë.

Në takimin tonë ne do donim të diskutonim një rrugëzgjidhje të mundshme për krizën dhe si rikthimi i shtetit ligjor do të ndihmonte Teatrin Kombëtar si dhe të gjithë vendin.

Çdo informacion tjetër teknik që ju mund t’ju duket i nevojshëm lidhur me çështjen, mund t’ju vihet në dispozicion.

Ne jemi në pritje të një takimi nga ju dhe Prania në Shqipëri e OSBE.

Sinqerisht,

Aleanca për mbrojtje të Teatrit Kombëtar

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat