Ekselentët shqiptarë garojnë në Moskë, Veliaj: Bashkia mbështet më të mirët

Tirana

Ekselentët shqiptarë garojnë në Moskë, Veliaj: Bashkia mbështet më të mirët

Më: 1 shtator 2019 Në ora: 13:38
Erion Veliaj

Nxënës të ekselencës nga 4 gjimnaze publike të Tiranës do të përfaqësojnë flamurin shqiptar në Olimpiadën e IV të Metropoleve, që mbahet javën tjetër në Moskë.

Ata do të garojnë me bashkëmoshatarët e tyre nga kryeqytetet e një sërë vendesh evropiane në fusha të shkencave ekzakte si: informatika, matematika, fizika dhe kimia.

Para nisjes për në Moskë ata u pritën nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Veliaj: Teksa shumica e shokëve e shoqeve të tyre kanë qenë në plazh, ata jo vetëm që nuk janë nxirë, por kanë studiuar dhe janë përgatitur për një eksperiencë fantastike. Me medalje ose jo, koha do ta tregojë, por rëndësi ka që do të jetë një eksperiencë e shkëlqyer, për të treguar se çunat dhe gocat e Tiranës mund të na përfaqësojnë denjësisht mes dhjetëra skuadrave të kryeqyteteve të tjera, në këtë olimpiadë të kampionëve të metropoleve.

Kryebashkiaku theksoi se bashkia e Tiranës do të vijojë mbështetjen ndaj më të mirëve.

Veliaj: Për djem e vajza të tillë, që kanë dalë me dhjeta, që kanë studiuar më tepër se sa shumica, Bashkia e Tiranës do të ketë gjithmonë një mundësi për të financuar, siç po bëjmë në këtë rast me udhëtimin, e më pas me një bursë, siç kemi bërë me shkollat 9-vjeçare. E di që është e pamundur që të paguajmë për të gjithë, por ama për më të mirët, për ata që dalin me dhjeta, për ata që sjellin çmime e fitojnë në olimpiada, gjithmonë do gjendet një mënyrë që Bashkia e Tiranës të jetë një mbështetje.

Nxënësit që do marrin pjesë në Olimpiadë garantuan një përfaqësim serioz të Tiranës dhe flamurit shqiptar në këtë organizim ndërkombëtar të më të mirëve.

Olimpiada zhvillohet në dy ditë, në 3 dhe 4 shtator, dhe konkurrimi do jetë i ndarë në fusha të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat