NYT: Tirana parajsa e radhës e arritshme evropiane

Tirana

NYT: Tirana parajsa e radhës e arritshme evropiane

Më: 7 shtator 2019 Në ora: 09:49
Foto ilustrim

Gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria është zbuluar nga udhëtarët si një vend i rrallë: një qoshe e paeksploruar e Europës (një vend me një vijë bregdetare rreth 425 kilometra të gjatë), shkruan, Alexander Lobrano në një artikull për prestigjiozen amerikane “New York Times”.

Vendi i vogël i Ballkanit laget nga detet Adriatik dhe Jon, afër thembrës së Italisë dhe 45 minuta larg me traget nga ishulli grek i Korfuzit. Kohët e fundit në të janë ndërtuar resorte luksoze buzë detit, dhe ndërsa qytetet bregdetare të Sarandës dhe Vlorës janë bërë shumë të rehatshme, kështu edhe Tirana – kryeqyteti i vendit, rreth 35,4 kilometra më në brendësi të vendit me një popullsi prej mbi gjysmë milion banorë – ky qytet po zhvillohet si një qendër kozmopolitane, me restorante, dyqane dhe galeri të reja duke u shkrirë me potpurinë pothuajse surrealiste të testamenteve nga e kaluara e qytetit.

Për të parë një shembull të goditur të mënyrës se si periudhat kohore përplasen në Tiranë, mjafton të vizitoni sheshin ”Skënderbej”, të rinovuar kohët e fundit me shatërvanët e rinj dhe një shtresë graniti në ngjyrë rozë, xhaminë me minare e cila daton në shekullin XVIII, kishën ortodokse shqiptare me kupolë e hapur në vitin 2012, një kompleks  ndërtesash qeveritare që i bëjnë jehonë arkitekturës fashiste të Italisë së Musolinit dhe një godinë monolite ku është vendosur Muzeu Historik Kombëtar.

Fillimisht e banuar nga fiset ilire dhe greke gjatë periudhës antike, Shqipëria qëndroi nën pushtimin  e Perandorisë Osmane për më shumë se katër shekuj. Pas vitit 1912, ajo u bë një monarki fashiste, dhe pastaj, pas Luftës së Dytë Botërore, një shtet komunist i udhëhequr nga diktatori famëkeq Enver Hoxha.

Në 1991 në vend u mbajtën zgjedhjet e para demokratike si dhe u shënuan fillimet e një zgjimi kulturor. Tirana mund të mos ketë një skenë të konsoliduar avangarde, por ka një avantazh të theksuar ikonoklastik – Piramida, një monument i madh i Hoxhës në qendër të qytetit, tani është vendi i preferuar për të pasionuarit e patinave me rrota, – dhe një destinacion i preferuar për emigrantët.

“Ka kaq shumë potencial,” thotë Flori Uka, një prodhues verash i cili e mësoi zanatin në Italinë verilindore dhe tani po specializohet në verërat e bëra nga rrushi organik i varietetit ”Kallmet” i cili kultivohet jashtë qytetit. “Ne kemi qenë të izoluar për një kohë kaq të gjatë, por sot është e mundur që njerëzit krijues të bëjnë atë që duan. Vendi është shumë i hapur ndaj të rinjve”

“Plaza”

I hapur në vitin 2016, ky hotel luksoz është vendosur në një qiellgërvishtës 24-katësh me një fasadë gjeometrike prej xhami në formë zigzage dhe me një tarracë. E vendosur në lindje të sheshit ”Skënderbej”, ndërtesa ndan një horizont me kullën e famshme të sahatit së Tiranës, e ndërtuar nga poeti i shekullit të 19-të Etehem Bej Mollaj, dhe që nga përfundimi i saj në 2016, është bërë një pikë referimi. 

Brenda, 190 dhomat kanë dysheme me parket lisi dhe mure në gri-luftarake që krijojnë një ambient plot hijeshi dhe aspak të mërzitshëm. Mysafirët mund të pushojnë në spa, e cila ka një dhomë të veshur me kripë Himalaje, që mendohet se të përmirëson frymëmarrjen, ose një nga tre restorantet – Panevino shërben makarona fantastike.

Ky hotel, që funksionon pjesërisht me energji diellore është një distance e shkurtër me këmbë nga Blloku, i cili dikur ishte një lagje banimi ku hyrja lejohej vetëm për nivelet e larta të regjimit Hoxha, ndërsa sot është mbushur me bare dhe restorante të zhurmshme. (Mos harroni të provoni pijen e athët me kokrra kulumbria në ”Colonial kafe”, që baristi shqiptar përgatit. Ai  u zhvendos përsëri në vendin e tij pas tre vitesh në Bruklin.) 23 dhomat e hotelit janë dizenjuar nga një studio  në stilin minimalist milanez, me mure të bardha dhe pëlhurë liri, perde transparente në bezhë dhe makina ”Nespresso”. Hoteli gjendet gjithashtu afër Parkut të Madh të qytetit, i cili ka katër kilometra rrugë për vrapim dhe ecje. 

“Mullixhiu”

Tre vite e gjysmë më parë, pas largimit nga “Le Gavroche” në Londër dhe “Noma” në Kopenhagen, Bledar Kola u kthye në vendin e tij të origjinës, Shqipëri dhe bashkë me dy shokë hapën “Mullixhiu”, që ndodhet në fund të Parkut të Madh të liqenit artificial. Në restorant bëhen gatime tradicionale sipas metodave të vjetra, paralelisht eksploron duke eksperimentuar kombinime aromash si kunguj të pjekur me salcë shege. Në varësi të stinës, mund të provoni jufka me kërpudha, pëllumb të pjekur në argjilë ose sallatë me angjinare nga Jeruzalemi, mollë turshi dhe gjuhë dhie. 

“Oda”

Për të ngrënë një byrek (petë të mbushura me gjizë), shkoni te sheshi ”Avni Rustemi”, ku ndodhet tregu kryesor i qytetit. Më pas, nëse ende kërkon të hash një vakt të plotë, kthehu tek cepi tek ”Oda”, një restorant familjar ngritur në një godinë të epokës osmane që dikur kishte qenë një shtëpi private. Dy odat e saj (sallone) janë të pasura me dekorime. Tapete të punuara me dorë janë të varur nëpër mure, si dhe një dhomë përmban një sofër, një tavolinë e vogël e rrumbullakët, që është perfekte për një grup të madh që kërkon të shijojë gatimet klasike shqiptare si speca të mbushur me djathë, kukurec si dhe raki mani. 

Nji Mar, Nji Mrapsht

Për shkak se banorët e zonës magjepsur nga emrat e markave të produkteve të importit që nuk ishin të aksesueshme gjatë periudhës së komunizmit, pak vende mbajnë produkte të shqiptare të punuara me dorë si produktet e qeramikës dhe veshje të qëndisura. Ky dyqan që shpreh dy histori të ndryshme është një përjashtim i dukshëm dhe është shndërruar në një pikë grumbullimi për artin dhe dizajnin e ri të qytetit. Produktet janë në evoluim të vazhdueshëm, por gjithnjë mund të gjeni bizhuteri të punuara me dorë, sapunë dhe kremra të bëra me bimë nga Shqipëria dhe vaji ulliri, si dhe baule të vjetra të ushtrisë që janë shndërruar në tavolina.

Uka Farm

Ish-ministër Bujqësie i Shqipërisë, Rexhep Uka ngriti këtë fermë në periferinë e Tiranës të mbuluar nga gjethet si një shembull i bujqësisë së qëndrueshme në vitin 1996, kur vendi ishte ende në tranzicion nga periudha e kooperativave masive. Në vitin 2005, ai mbolli rrush unik dhe filloi të prodhojë disa llojeve verash të prodhuara nga rrush organik. Përveç ”Kallmetit të kuq”, i cili ka aromën si një ”Pinot noirs”, ka edhe verëra të bardha që prodhohen nga rrush ”Ceruja”. Djali i Ukës, Flori me shumë kënaqësi i tregon vizitorëve fushat dhe qilarët para se t’i fusë në udhëtimin e të shijuarit të verave të kombinuara me mish qengji të pjekur. Rezervimi është i detyrueshëm. 

Galeria Kombëtare e Arteve

Përveç ekspozitave të përkohshme, kjo verë u karakterizua nga një retrospektivë punimesh të Kolë Idromeno, i cili në vitin 1883 pikturoi “Motra Tonë” e njohur si “Mona Lisa” e Shqipërisë. Ky muze, që është ngritur në vitin 1960 në një godinë moderniste që rrethohet nga një rresht palmash, ka gjithashtu një koleksion të madh punimesh të zymta dhe drithëruese të Realizmit Socialist ku paraqiten minatorë me syze dhe punëtorë muskulozë fabrikash. Për më shumë kulturë, shkoni tek Bunk Art, një kompleks nëntokësor si labirint që fillimisht u ndërtua si një bunker atomik për Hoxhën, me një sallë asamblesh që ka një akustikë fantastike dhe që tani përdoret si një ambient për koncerte xhaz dhe klasike. 

Amfiteatri i Durrësit

Bashkë me reliktet e epokës komuniste, Shqipëria është gjithashtu shtëpia e shumë rrënojave, që nga parku arkeologjik i Butrintit tek kolonia greke e Apolonisë. Qyteti port i Durrësit, që u themelua 2600 vite më parë nga korinthasit, ka avantazhin se është pranë kryeqytetit. Banorët e Tiranës shpesh herë vijnë këtu për të bërë not dhe për të ngrënë ushqime deti. Provoni restorantin “Fresh Fish”, por jo para se të keni shëtitur banjat antike ose amfiteatrin me 20 000 vende gjysmë të zbuluar, i cili ishte ndërtuar gjatë periudhës së perandorit romak Adrian në shekullin II pas Krishtit. Disa vite më parë, qeveria shqiptare vendosi për shkatërrimin e disa shtëpive moderne që ishin ngritur në unazën e shkatërruar prej guri të amfiteatrit./atsh/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat