Albin Kurti: Tirana si shtëpia ime, BE e Ballkani i duhen njëri tjetrit

Tirana

Albin Kurti: Tirana si shtëpia ime, BE e Ballkani i duhen njëri tjetrit

Më: 26 tetor 2019 Në ora: 09:09
Albin Kurti në samitin për Paqe i Evropës Juglindore në Tiranë

(E plotësuar) - Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se përveç fqinjësisë së mirë për të cilën kanë nevojë vendet e Ballkanit, duhet të ndryshojë edhe rajoni edhe Bashkimi Evropian, meqë Ballkani Perëndimor dhe BE janë shumë të rëndësishëm për njëra-tjetrin.

Në Samitin për Paqe të Evropës Juglindore që po mbahet në Tiranë, Kurti ka thënë se interesi i përbashkët i vendeve në Ballkan, drejt anëtarësimit në BE dhe NATO duhet të bëhet sa më aktiv në rajon dhe më gjerë.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, që është njeriu më votuar në zgjedhjet e 6 tetorit, e që po synon të jetë në krye të Qeverisë së Kosovës, ka thënë në Tiranë se sot më shume se kurrë ka nevojë për ide që bëjnë bashkë.

Kurti: Duhet të ndryshojë edhe rajoni por edhe Bashkimi Evropian

“Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë, dhe vendet e tjera në Ballkan duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, duan që të anëtarësohen në NATO, duan që të jenë bashkë në Evropën e Bashkuar dhe pikërisht këto vlerat tona të përbashkëta dhe ky interes i yni i përbashkët duhet të bëhet sa më aktiv në rajon dhe më gjerë në mënyrë që paqja, stabiliteti dhe siguria afatgjatë të jenë pasoja të drejtpërdrejta të zhvillimit të drejtësisë, dhe të demokracisë, të cilët duhet t’i ndërtojmë edhe brenda shteteve tona, edhe në marrëdhëniet e shteteve me njëra tjetrën. Por përveç fqinjësisë së mirë që vendet e Ballkanit kanë nevojë, për paqe siguri e stabilitet të qëndrueshëm, përveç integrimit të sigurtë, në Bashkimin Evropian, me ç’rast duhet të ndryshojë edhe rajoni por edhe Bashkimi Evropian, sepse Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian janë shumë të rëndësishëm për njëri tjetrin. Gjithashtu brenda shteteve tona ne duhet ta luftojmë varfërinë, ta luftojmë pabarazinë, dhe ta luftojmë padrejtësinë”, tha Kurti.

Ai tha se bashkimi për paqe është kushti për paqe të qëndrueshme që mundon të lulëzojnë njerëzit, shtetet e popujt në përgjithësi.

Kurti tha se nuk ka alternativë të mirë ndaj paqes dhe se paqja është amanet e idelë i brezave që u sakrifikuan për të.

Bashkë me Kurtin në panel ishte edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhafari.

Ai përmendi çështjen për hapjen e negociatave të këtij vendi me Bashkimin Evropian.

Xhaferi: Shpresojmë që deri më fund të vitit të bëhemi anëtarë i NATO-s

“Siç e dini Maqedonia e Veriut punoi dhe vazhdon të punojë shumë në fushën e avancimit përforcimit të mardhnieve të mira fqinjësore, sepse beson që mbajtja e dialogut politik deri të shterja e të gjitha mundësive, mund të sjellë deri të kompromisi i pranueshëm për palët, si rezultat i këtij angazhimi ishte nënshkrimi i marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë e bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë, dhe marrëveshjes mes Republikës se Greqisë me të cilën u tejkalua kontesti shumëvjeçar i cili na pengonte në arritjen e qëllimeve tona strategjike, respektivisht integrimin në NATO dhe Bashkim Evropian, dhe tani që ky proces është debllokuar shpresojmë që deri më fund të vitit të bëhemi anëtarë i plot fuqishëm i 30 i NATO-s. Ndërsa në drejtim të anëtarësimit në BE, situata është ndryshe nga çka e kemi pritur”, tha Xhaferi.

Edhe diplomati Christopher Hill tha se janë zhgënjyer për shterjen e negociatave, por sipas tij sfidat e tilla duhet të tejkalohen dhe të vazhdohet tutje me angazhim.

Hill: Të zhgënjyer nga shtyrja e negociatave me BE-në

“Unë e di, mendoj se te gjithë këtu e dinë, zhgënjimin e kohëve të fundit që njëfarë mënyre, do të ketë një shtyrje të negociatave me BE-në, unë personalisht km punuar në këtë rajon për shumë vite dhe e ndjej vet këtë zhgënjim por mendoj që e rëndësishme është që njerëzit ta kuptojnë që ndërkohë që rruga për të ecur përpara është e hapur, dhe që vazhdon të jetë e kalueshme, gjithsesi do të ketë probleme, do të ketë kthesa dhe vështirësi, do të ketë sfida përpara. Kështu që çështje problematike nuk është kremtimi i sfidave por është më tepër kuptimi i faktit që detyra jonë që kemi përpara është të tejkalojmë sfidat dhe mos të ngecim”, tha ai.

Hill shtoi se nuk do të ketë Evropë të lirë e të plotë pa bashkimin në të edhe të Ballkanit Perëndimor.

Samiti për Paqe i Evropës Juglindore, që sivjet po mbahet në Tiranë, ka për temë paqen, sigurinë dhe zhvillimin njerëzor në Evropën Juglindore.

 Thaçi: Paqja në rajon varet nga paqja e përhershme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në Samitin për Paqe të Evropës Juglindore 2019 në Tiranë, i cili organizohet nga Federata Universale e Paqes.

Presidenti Thaçi ka thënë se paqja që u arrit me intervenimin e Aleancës Veri-Atlantike, në pranverën e vitit 1999-të, ishte mbi të gjitha rezultat i një politike vizionare të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

Sipas tij, ky vizion i dha fund, një herë e përgjithmonë, tragjedive të njëpasnjëshme në këto anë të Ballkanit dhe Evropës me shpresë për ta shndërruar paqen e atij viti, përmes Paktit të Stabilitetit, në një fillim të ri për gjithë rajonin.

“Samiti i Selanikut i BE-së në vitin 2003, në vijim të këtij hapi të madh strategjik të Washingtonit dhe Brukselit, edhe formalisht hapi kapitullin e perspektivës evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar presidenti.

Kreu i vendit më tej ka shtuar se Kosova u bë shtet i pavarur në shkurtin e vitit 2008-të, duke shtuar tutje se, së bashku me njohjet e para të pavarësisë së Kosovës erdhi edhe mesazhi për perspektivën evropiane për shtetin më të ri në rajon dhe në Evropë.

“Se çfarë ka ndodhur më pas, kur bëhet fjalë për transformimin e paqes në një gjendje permanente dhe në stabilizim afatgjatë në mes të shteteve dhe popujve të kësaj pjese të Evropës”, presidenti ka thënë se “Nuk mund të mburremi askush, as në rajon, as në Bruksel, me rezultatet e këtij Projekti të përbashkët”.

Sipas tij, paqja e para njëzet viteve, solli një entuziazëm të jashtëzakonshëm të të gjithë neve, qofshim politikanë apo qytetarë të kësaj ane të Evropës.

“Nuk besoj që ka pasur politikanë apo qytetarë në Kosovë, apo kudo në këtë pjesë të Ballkanit, që ka mundur të supozojë që njëzet vjet më pas, i gjithë ky rajon nuk do të bëhej pjesë e BE-së”, ka thënë ai, duke shtuar tutje se “Kush do të besonte që marrëdhëniet në mes të këtyre shteteve dhe popujve, nuk do të bëheshin sipas shembullit të Francës dhe Gjermanisë në njëzet vitet e para pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”.

Presidenti Thaçi ka thënë se askush nuk ka mundur të imagjinojë në verën e vitit 1999-të, që njëzet vjet më vonë, ne ende nuk do ta kemi një Marrëveshje politike me Serbinë për njohje reciproke, dhe për krijimin e rrethanave për fqinjësinë e mirë.

“Janë humbur raste të mëdha që ta arrijmë këtë Marrëveshje, ndërsa ne kemi qenë të gatshëm gjithmonë që ta shtrijmë dorën për Marrëveshje”, ka thënë presidenti.

Sipas tij, paqja afatgjatë e Ballkanit Perëndimor, në masë të madhe varet nga paqja e përhershme në mes të Kosovës dhe Serbisë, - pra nga Marrëveshja Gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, - e cila nuk ka si mos të përfundojë pa njohjen reciproke si dy shtete të pavarura dhe sovrane.

Image

“Kjo Marrëveshje megjithatë, siç dihet, ka edhe atë anën tepër të rëndësishme të shtytjes politike dhe ekonomike nga ana e BE-së”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Kreu i vendit ka shtuar më tej se jemi të vetëdijshëm për hamendjet, dyshimet dhe ngecjet e Brukselit karshi shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne në Kosovë po e paguajmë çmimin e rëndë të shtyrjes së vendimit për Liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke shtuar më tej se “na është bërë një e padrejtë, njësoj si edhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se është i sigurt që e tëra kjo, as për ne në Kosovë dhe as për miqtë tanë në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, nuk shkakton hamendje, dyshime dhe ngecje se çka duhet të bëjmë, si duhet të sillemi tash e tutje në raport me BE-në.

“Ne duam të bëhemi shtete anëtare të BE-së, sa më parë që është e mundur, sepse nuk kemi fat tjetër politik dhe historik, dhe as që duam fat dhe ardhmëni tjetër politike dhe historike”, ka theksuar presidenti, e që sipas tij, “Këtu më duhet t’i kthehem bindjes sime të thellë që më së miri do të ishte nëse të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, së bashku do të inkuadroheshin në BE.

Ai më tej ka thënë se në ndërkohë, ato do të duhej t’i zgjidhnin të gjitha problemet dhe mosmarrëveshjet që i kanë në mes veti.

Ai ka thënë se është i bindur që skena politike vendor ka vullnet të përbashkët  që sa më parë që është e mundur t’i vazhdojë bisedimet me autoritetet e larta të Serbisë, me shtytjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për Marrëveshje Gjithëpërfshirëse. 

“Nuk kemi kohë për të humbur. Kohën dhe rrethanat ndërkombëtare të cilat mund të parashikohen, nuk i kemi aleat. Dialogu nuk ka alternativë. Përshpejton edhe procesin për anëtarësim në familjen euroatlantike”, ka thënë presidenti.

Image

***

Në Tiranë mbahet sot samiti i paqes për Europën Juglindore. Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti e nisi fjalimin e tij duke i uruar mirëseardhjen të ftuarve pasi në Tiranë ndihej si në shtëpinë e tij,  ashtu si në Prishtinë.  

Albin Kurti: "Edhe unë jam këtu si mysafir në samitin e paqes por ndihem si në shtëpi edhe këtu në Tiranë,  si në Prishtinë, prandaj mirësekeni ardhur dhe mirëse gjejmë njëri tjetrin në këtë takim shumë të rëndësishëm"

Kjo u shoqërua me një duartrokitje nga të ftuarit.

Kurti e quajti takimin të rëndësishëm dhe nënvizoi bashkimin për paqe

Albin Kurti: "Them takim shumë i rëndësishëm sepse këtu njerëzit bëhen bashkë për paqe dhe bashkimi për paqe është kushti për paqe të qëndrueshme.  Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për ide që na udhëheqim dhe ide që na bëjnë bashkë.  Ndër rreziqet më të mëdha të njerëzimit është përcarja e samite të këtilla që i bëjnë bashkë njerëzit janë tepër të vlefshme. Republika e Kosovës,Shqipëria, dhe vende të tjera në Ballkan duan të anëtarësohen në BE. Këtu vlerat e përbashkëta dhe interesi ynë i përbashkët duhet të bëhet sa më aktiv në mënyrë që paqja dhe siguria afatgjatë të jenë pasoja të drejtëpërdrejta të zhvillimit të drejtësisë dhe demokracisë të cilët duhet të ndërtojmë edhe brenda dhe në marrëdhënie të shteteve me njera tjetrën."

Kreu i Vetëvendosjes kishte dhe një apel për BE.

Albin Kurti: Përveç fqinjësisë së mirë që vendet e Ballkanit kanë nevojë, integrimit të sigurtë në BE, me këtë rast duhet të ndryshojë jo vetëm rajoni por dhe BE sepse Ballkani Perëndimor dhe BE janë shumë të rëndësishëm për njëri tjetrin. Brenda shteteve tona duhet të luftojmë varfërinë, pabarazinë dhe padrejtësinë. Prandaj është e domosdoshme të jemi bashkë në kundërshtimin e varfërisë padrejtësisë e pabarazisë."

Xhaferi: Shqipërisë e Maqedonisë iu ka bërë e padrejtësi, nuk duhet humbur shpresa

Samiti për Paqe i Evropës Juglindore ka vazhduar sot në Tiranë, ku kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka komentuar mos çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, duke thënë se të dy vendeve iu është bërë e padrejtë por nuk duhet humbur shpresë.

Ai ka thënë se shpresojmë që deri në fund të vitit të bëhemi anëtarë i tridhjetë i NATO-së. Ndërsa, sa i përket integrimit në BE, tha se do të vazhdohet me ritmin e njëjtë të reformave pasi kjo është për zhvillimin dhe përparimin e vendeve tona, për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Na u është bërë padrejtësi por nuk guxojmë të humbim shpresë dhe se duhet të ndjekim rrugën e njëjtë të përmbushjes së kritereve, gjegjësisht bërjes së reformave”, tha ai.

Ndërkohë aktualisht të pranishmeve me një fjalim po iu drejtohet Albin Kurti.

Drejtpërdrejt nga Samiti për Paqe i Evropës Juglindore në Tiranë

Samiti për Paqe të Evropës Juglindore me temë “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi Njerëzor në Evropën Juglindore”, vazhdon edhe sot e nesër në Tiranë.

Samiti mbahet nën patronatin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Samiti organizohet nga Federata e Paqes Universale (FPU), si pjesë e një serie në vazhdim samitesh anembanë botës që mbështesin ndërvarësinë, begatinë e ndërsjellët dhe vlerat universale.

Samiti do të përfshijë nisjen në Evropë dhe Lindjen e Mesme të Këshillit të Lartë Ndërkombëtar për Paqe (KLNP), një shoqate globale e krerëve aktualë dhe të mëparshëm të shteteve dhe qeverive të përkushtuar ndaj dialogut dhe bashkëpunimit për hir të paqes dhe zhvillimit njerëzor. Veç kësaj, samiti do të përmbajë asambletë e “Shoqatës Ndërkombëtare të Parlamentarëve për Paqe dhe Shoqatës Ndërfetare për Paqe dhe Zhvillim”.

Drejtues të lartë të shteteve por edhe të atyre që kanë pasur ndikim të madh në vendime të rëndësishme për Ballkanin, përfshirë këtu krerë aktualë dhe të mëparshëm shtetesh dhe qeverish, parlamentarë, udhëheqës fetarë, gra udhëheqëse dhe udhëheqës të shoqërisë civile, gjetjen e zgjidhjeve drejt paqes afatgjatë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Evropën Juglindore dhe më gjerë.

Federata e Paqes Universale ka qenë aktive në Shqipëri që në vitin 2005, kur u inaugurua prej Themeluesve të saj si pjesë e turneut të tyre botëror.

Samiti i Paqes i Evropës Juglindore do sjellë së bashku udhëheqës botërorë, përvoja, urtësia dhe thellësia individuale dhe kolektive e të cilëve janë të nevojshme nëse duam të ndërtojmë një botë mirëkuptimi të ndërsjellët, paqeje të qëndrueshme dhe begatie për të gjithë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat