Veliaj: Bonus qiraje për familjet me shtëpi të pabanueshme

Tirana

Veliaj: Bonus qiraje për familjet me shtëpi të pabanueshme

Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 11:05
Erion Veliaj

Mëngjesi i sotëm nisi me një falenderim për të gjithë punonjësit e Policisë Bashkiake nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për punën e tyre pas tërmetit të 26 nëntorit. Nga ambientet e drejtorisë së këtij institucioni, kryebashkiaku Veliaj tha se Tirana diti të mobilizohet në kohë rekord dhe të përballojë edhe këtë sfidë të vështirë për qytetin dhe qytetarët.

“Doja të isha sot këtu për t’ju thënë faleminderit për përballimin e 7 ditëve, ndoshta më të jashtëzakonshme në 100 vitet e këtij qyteti. Jam i sigurt se në atë çast secili prej jush fillimisht ishte prind, bashkëshort, por fakti se në orën 4 Policia Bashkiake ishte në krye detyrë në të gjithë territorin e Tiranës, më bëri të kuptoj se thirrja e detyrës ishte po aq e shenjtë dhe e lartë, sa edhe thirrja e të qenit familjar. Nuk e kisha menduar kurrë që pa bërë një parapërgatitje, në punë minutash, secili kishte marrë uniformën, kishte lënë shtëpinë, për të qenë në krye të detyrës”, theksoi ai.

Veliaj kërkoi nga punonjësit e Policisë Bashkiake se ashtu siç u punua këtë javë, e njëjta devotshmëri të jetë edhe në ditët e ardhshme. Ai theksoi se kur shqiptarët bëhen bashkë, ia dalin gjithmonë. “Do të doja që me të njëjtën devotshmëri që kemi punuar këto 7 ditë, të punojmë edhe 7 apo 70 ditët e ardhshme. Jam i bindur se kjo nuk do të jetë një krizë që do të kalojë lehtë. Qyteti i Tiranës ka marrë një grusht që e ka çuar 10 vite mbrapa. Nëse 2015-ta na dukej një katrahurë që duhej rikuperuar, kjo realisht na ka çuar mbrapa; do të thotë se duhet të bëjmë shumë investime për të rikuperuar hapësirat publike apo pallatet, që të vijnë në vendin e duhur. Ajo që kam parë këto 7 ditë është se kur ne shqiptarët jemi të bashkuar, mund të bëjmë gjëra që s’kanë ndodhur më parë”, tha ai.

Kryebashkiaku shtoi se vatrat më të nxehta nga dëmtimet e tërmetit të 26 nëntorit kanë qenë pikërisht në ish-komuna, ku janë dhënë leje në shkelje të hapur me ligjin. “Janë vatrat në ish-komuna, para se të bashkoheshin me Bashkinë e Tiranës, ku urbanistika ishte copë-copë dhe ku lejet e ndërtimit jepeshin si letra bakalli nëpër lokale. Në këto raste dua të bashkëpunoni në mënyrë absolute me Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit”, u shpreh ai, ndërsa i kërkoi Policisë Bashkiake që të ndihmojë organet e drejtësisë për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë kryer shkelje.

“Më rezulton se kemi një bashkëpunim perfekt me këto dy institucione shumë të rëndësishme të shtetit tonë, që pasi të kalojë kriza, të mos kalojë pa penalitete dhe ndëshkime. Kush ka ndërtuar, modifikuar, abuzuar, duhet të merren prova, t’i përcillen Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Sigurisht, edhe për ndërtesat që do të prishen duhet një bashkëpunim perfekt me Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë, që vërtet me rrëzimin e një ndërtese të hiqet rreziku dhe askush të mos ketë tundimin të rrezikojë jetën duke hyrë aty, por ama me rrëzimin e ndërtesës të mos rrëzohen provat. Prandaj, bashkëpunimi me Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë është jetik”, theksoi Veliaj.

Ndërkaq, Bashkia e Tiranës ka miratuar vendimin për bonusin e qirasë 1 vit për të gjitha ato familje që mbetën të pastreha nga tërmeti i 26 nëntorit. Veliaj nënvizoi se familjet e para kanë aplikuar dhe se procesi do të vijojë edhe me të tjerët që po evakuohen nga banesat e tyre, të shpallura të pabanueshme. “Sot në mëngjes ishin rreth 300 aplikues, presim edhe 700. Brenda fundjavës do të kemi 1000 familje me pagesën e qirasë. Pra, ata që i kanë pallatet të pabanueshme, mirë është të fillojnë të kërkojnë hapësira për qira, që ndërkohë që bëhet aplikimi dhe procedohen paratë, ta kenë idenë e qartë se ku do të banojë me qira. Kjo është më e rëndësishme dhe është një ofertë shumë më dinjitoze se sa ndërtesat ku banonin”, deklaroi Veliaj.

Teksa nënvizoi se të gjithë grupe e ekspertëve janë në terren për të bërë verifikimin e banesave nëse kanë pësuar dëmtime ose jo, kreu i Bashkisë i bëri apel të gjithëve që t’ju binden autoriteteve në rast se kërkohet evakuim

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat