U dëmtua rëndë nga tërmeti, miratohet shembja e godinës 15 në “Qyteti Studenti” - Bota Sot
U dëmtua rëndë nga tërmeti, miratohet shembja e godinës 15 në “Qyteti Studenti”

Tirana

U dëmtua rëndë nga tërmeti, miratohet shembja e godinës 15 në “Qyteti Studenti”

Më: 5 dhjetor 2019 Në ora: 15:22
Foto

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka pranuar akt-konstatimin e Institutit të Ndërtimit që e shpall të pabanueshme Godinën nr.15 në Qytetin Studenti, si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit dhe ka vendosur që ta shembë atë për të mos rrezikuar jetën e banorëve.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në fjalën e tij bëri të ditur se godina 15, ashtu si edhe dy godina të tjera në Qytetin Studenti, për shkak të amortizimit kanë pësuar dëmtime të rënda nga tërmeti i javës së shkuar, çka ka detyruar specialistët dhe inxhinierët e Institutit të Ndërtimit që ta shpallin atë të pabanueshme dhe një rrezik potencial për banorët që e kanë zaptuar.

Ndaj ai bëri të ditur se ashtu siç edhe po veprohet me shumë ndërtesa të tjera që kanë pësuar dëmtime në strukturë, edhe kjo godinë do të prishet. “Kemi marrë tre akt konstatime nga Instituti i ndërtimit, të cilat dëshmojnë se godinat 15, 18 dhe 19, në Qytetin Studenti janë të dëmtuara përtej ç’mund të riparohet, kanë dëmtime në strukturë. Fillimisht do të marrim vendim vetëm për godinën numër 15, kurse relacionet për 18 dhe 19 do t’i keni tek takimi sot pasdite. Janë tre godina të cilat nuk banohen nga studente, tejet të amortizuara, të zaptuara në vitin 1991. Ka 30 vite që rrinë të zaptuara. Kanë qenë në plan nga Bashkia e Tiranës me projektin e KFW-së, që të ribëhen të reja, por nuk mund të presin deri në fund të vitit tjetër, kur të jemi gati për implementimin e projektit me KFW-në. Tani që ra tërmeti, kush ka parë pamjet, e ka parë sesi duket edhe nga jashtë modifikimi, çarjet që janë bërë, ndërhyrje në mure. Një portal kishte zbuluar një pemë që dilte nga muret, dhe pema dilte nga brenda jashtë, pra bëhet fjalë për një skenar të denjë për vende dhe popuj. Kjo është arsyeja pse dua që të kërkoj miratimin e Keshillit Bashkiak për çmontimin e kësaj godine, e zaptuar prej 30 vitesh”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës në fjalën e tij para Këshillit Bashkiak.

Sa i përket familjeve që e kanë zaptuar dhe që janë strehuar në të, kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se ata do të trajtohen me bonus qiraje si te gjitha familjet e tjera të prekura nga tërmeti, ndërsa momentalisht do të strehohen në palestrën e shkollës “Ismail Qemali”.

“Të gjithë banorët sipas kurorave familjare që kanë do t’i kalojnë prapë sot pasdite në varësi sa prej tyre, shumica më rezulton që i kanë plotësuar formularët e qirasë, do t’ju kalojmë edhe atyre qiranë si familjet e prekura nga tërmeti, pavarësisht se nuk janë pronarë të asaj godine, pavarësisht se e kanë zaptuar atë godinë, dhe pavarësisht se një pjesë e madhe as nuk paguan detyrimin minimal, ujë, drita dhe qira Qytetit Studenti. Për këto do kemi moment të reflektojmë më vonë. Por në këtë fazë për çëshje imediate, do të zhvendosen tek palestra e gjimnazit “Ismail Qemali”, për shërbimet e ditëve të para, ndërkohë që nga e hëna e në vazhdim, disa prej tyre që sot kanë filluar të gjejnë apartamente me qira, do ju paguhet edhe atyre qiraja, siç do ju paguhet të tjerëve”, tha Veliaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat