“Bloomberg” shkruan për transformimin e Piramidës: Tirana, një qytet i pastër, me administratë progresive

Tirana

“Bloomberg” shkruan për transformimin e Piramidës: Tirana, një qytet i pastër, me administratë progresive

Më: 18 janar 2020 Në ora: 16:33
Ilustrim

Tirana po zë vend gjithnjë e më shumë në mediat më të njohura ndërkombëtare për projektet transformuese, e veçanërisht fokusit të saj drejt teknologjisë së inovacionit. Pas “The Guardian” dhe “Financial Times”, është agjencia më e njohur e lajmeve ekonomike në botë “Bloomberg”, ajo që i ka kushtuar një hapësirë të veçantë historisë së Piramidës dhe transformimit që do të pësojë ajo me projektin mbresëlënës të Bashkisë së Tiranës.

“Bloomberg” shkruan se kjo godinë e projektuar si muzeu i ish-diktatorit Hoxha në kohën e komunzimit, do të shndërrohet shumë shpejt në një qendër multifunksionale edukimi të teknologjisë për të rinjtë. Më tej “Bloomberg” nënvizon se kjo godinë që sot i ngjason një ngrehine, fsheh potencialin për t’u bërë një nga strukturat më të gjalla dhe interesante në Europën Lindore.

Duke ftuar turistët që të vizitojnë Tiranën,“Bloomberg” shkruan se për një vizitor që vjen për herë të parë, Tirana është një qytet i pastër dhe i rregullt, që drejtohet nga një administratë progresive e cila po inkurajon sipërmarrjen dhe inovacionin.

Shkrimi i plotë:

Piramida, marrëzia komuniste që do të rilindë si qendër invacioni në Tiranë

Nga Richard Vines, Bloomberg

Ngjan si një park fantastik skateboard-i apo qendër tregtare moderne të braktisur, me sipërfaqen e saj të paanë e të pjerrët prej betoni të shkarravitur me graffiti, dhe panelet e zymta prej xhami, por kjo ndërtesë në kalbje e sipër është një nga monumentet më të rëndësishme të Europës, që i ka mbijetuar komunizmit, dhe është gati të transformohet.

Piramida e Tiranës u ngrit për të lartësuar diktatorin shqiptar Enver Hoxha menjëherë pas vdekjes së tij në vitnin 1985. U deshën tre vjet për ta ndërtuar anash bulevardit kryesor të qytetit dhe u çel me një ceremoni madhështore në tetor 1988. Sipas faqes InfoAlbania, ajo ishte vepër e katër arkitektëve: e të bijës së Hoxhës, Pranvera Hoxha, e bashkëshortit të saj, Klement Kolaneci, si edhe e Pirro Vasos dhe Vladimir Bregut.

E veshur me pllaka mermeri të bardhë dhe një yll të kuq mbi krye, ajo ishte një ndërtesë goditëse. Brendia natyrisht zotërohej nga një statujë e diktatorit dhe vetë ndërtesa ishte një vend pelegrinazhi për një shtet të ashpër komunist, që lartonte kultin e individit. Ceremonia e hapjes ishte një çast krenarie për Shqipërinë dhe filmimet e ngjarjes shfaqin zyrtarë që ecin midis nxënësve të shkollave të lëvizjes së rinisë komuniste.

Kishte vetëm një problem të vogël – regjimi komunist ra në vitin 1990, dy vjet pasi u përfundoi ndërtimi i Piramidës, dhe reputacioni i Hoxhës u shkatërrua së bashku me të. Ndërtesa u mbyll dhe më pas u transform disa herë: qendër konferencash; sallë për festivalin kombëtar të xhazit; sallë leksionesh; eatër; vendstrehim për shtabin e NATO-s gjatë luftës në Kosovë; shtëpi e një stacioni televiziv; e madje, edhe si klub nate.

Është braktisur prej kohësh dhe qëndron e mbyllur për publikun. Madje, në vitin 2011 Këshilli Bashkiak i qytetit vendosi ta prishte, por shpëtoi pas neë sëirl protestash, e më në fund, sipas Joni Baboçit, Drejtor i Përgjithshëm i Planifikimit dhe Zhvillimit Urban të Tiranës, bashkia ka një plan për ta rivënë në përdorim. Ndërtesa do të rilindë si një qendër mësimore, ku turistët do të jenë gjithashtu të mirëpritur.

Projekti bashkëfinancohet nga qeveria qendrore dhe ajo vendore, në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Puna mund të fillojë qysh në muajin tjetër dhe pritet të zgjasë 1 vit e gjysmë.

“Unë kam qenë pjesë aktive e lëvizjes për të ndaluar prishjen e saj, që do t’i hapte udhën ndërtimit të një Parlamenti të ri”, thotë 32-vjeçari Baboçi. “Ndonëse mbart kujtime të këqija, për gjeneratën time është një ndërtesë ikonike. Ajo u ndërtua në vitin tim të lindjes, dhe duke u rritur, ishte një nga ndërtesat e pakta në Tiranë ku mund të orientoheshe menjëherë se ku ndodheshe. Si fëmijë ngjiteshim në majë dhe rrëshqisnim poshtë ose luanim me patina përpara saj.”

Studioja arkitekturore MVRDV me seli në Roterdam mori detyrën ta transformonte ndërtesën në një qendër multifunksionale edukimi të teknologjisë për të rinjtë, duke e hapur nga anët dhe duke e kthyer brendinë në një atrium gjigant të mbushur me pemë dhe dritë. Edhe çatia do të jetë e hapur, me shkallare që të shpien në një platforme nga ku mund të shijosh pamjet e qytetit.

Pas rimishërimit të saj, Piramida do të lidhet më Qendrën Tumo, e do të jetë vendndodhja e shtatë e një programi me bazë në Armeni, e cila u ofron adoleshentëve trajnime dhe seminare në teknologji dhe dizajnim. Do të ketë gjithashtu një shesh të hapur me hapësira publike, duke përfshirë edhe një bibliotekë. Do të ketë edhe mjedise për sipërmarrje start-up, të cilat mund t’i marrin me qira, veçanërisht nëse punojnë në fushat e programit Tumo.

Sipas Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, “Piramida do të funksionojë si një qendër jo-fitimprurëse, hapësira e brendshme e së cilës është 6.500 metra katrorë; 3,000 metra katrorë të saj do të strehojnë “Tumo Tirana” dhe gjysma tjetër do t’i kushtohet arteve, mediave, arteve pamore dhe TIK (Komunitetit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit)”.

Ka ende shumë punë per t’u bërë. Baboçi më bëri një tur të plotë brenda këtij “elefanti të bardhë” të Tiranës, dhe vura re se ndodhet në një gjendje me të vërtetë të keqe. Brenda është errësirë dhe plot lagështi, me shkallë të thyera dhe kabllo të koklavitura që varen nga lart. Ka plehra, graffiti dhe pellgje me ujë. Copat e tavanit varen mbi vendkalimet e shkretuara, dëme që u shkaktuan nga tërmeti i fundit, që vetëm sa ia shtojnë efektin viteve të harresës.

“Sot kjo ndërtesë qëndron në këmbë si karakatina më e famshme arkitekturore shqiptare – e megjithatë, ka potencialin për t’u shndërruar – përmes rigjallërimit – në një nga strukturat më të gjalla dhe më interesante në Europën Lindore”, thotë Baboçi.

Për dikë që vjen për herë të parë, Tirana është habitshëm një qytet i pastër dhe i rregullt, që drejtohet nga një administratë progresive e cila po inkurajon sipërmarrjen dhe inovacionin. Por, ende ka diçka që duhet të ndryshojë: 35 vjet pas vdekjes së tij, vila e diktatorit qëndron ende e mbyllur, përveç kur organizohet ndonjë orë leksioni apo evente të ndryshme – sepse askush s’di ç’të bëjë me të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat