Rekord në ndërtime, 420 milionë euro në Tiranë! Ekspertët: Para e çuditshme!

Tirana

Rekord në ndërtime, 420 milionë euro në Tiranë! Ekspertët: Para e çuditshme!

Më: 2 mars 2020 Në ora: 08:01
Tiranë

Ndonëse në tremujorin e fundit vrulli i dhënies së lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës ra, për shkak të pezullimit të përkohshëm të tyre pas tërmetit të 26 janarit, për gjithë vitin ato arrijnë një nivel rekord.

Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se në 2019-n u dhanë gjithsej 373 leje ndërtimi, ose 15 leje më pak se një vit më parë.

Por, ndonëse janë dhënë më pak leje në numër, sipërfaqja e dhënë për ndërtim është rritur ndjeshëm, në një tregues se ato kanë qenë për banesa më të larta.

Në total, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi për 2019-n, sipas INSTAT ishte rreth 1.5 milionë metra katror, me një rritje prej 55% në raport me vitin e mëparshëm dhe duke shënuar një nivel rekord të paktën që prej vitit 2010, kur raportohen të dhënat e detajuara sipas rretheve (shih grafikun).

Sipas INSTAT, sipërfaqja e dhënë për ndërtim në Tiranë i korrespondon një vlere prej rreth 52 miliardë lekësh, ose rreth 420 milionë euro.

Vrulli më i madh i dhënies së lejeve ishte në tremujorin e parë dhe të tretë, me përkatësisht me 480 miëj dhe 556 mijë metra katror. Niveli më i ulët u shënua në tremujorin e katërt me 147 mijë metra katror, i ndikuar nga amullia që u shkaktua pas tërmetit të 26 nëntorit dhe pezullimit të përkohshëm të lejeve të ndërtimit.

Ndërtimet rriten, po ashtu edhe çmimet e apartamenteve!

Ndonëse ndërtimet kanë arritur në një nivel rekord të dekadës, ndërsa rritja e pagave në fund të tremujorit të tretë, sipas INSTAT, ishte më pak se 1%,  kërkesa dhe oferta nuk po i binden ligjeve të tregut. Çmimet e apartamenteve kanë shënuar një rritje të fortë gjatë vitit të fundit, sipas deklarimeve të agjentëve të pasurive të paluajtshme.

Mesatarisht, nëse do të blesh sot një hyrje, duhet të paguash 100-150 euro më shumë për metër katror, sesa pak kohë më parë, madje në disa zona rritja është dhe më e fortë në 300-600 euro më shumë.

Dy janë arsyet e kësaj tendence, sipas operatorëve, së pari rritja e taksave dhe së dyti qarkullimi i parave informale dhe pastrimi i tyre përmes ndërtimit.

Ylli Sula, sipërmarrës, botues i Gazetës Çelësi i cili ka krijuar përmes të dhënave historike të gazetës një indeks për çmimet e pasurive të paluajtshme, “Key Data Albania”, ka pohuar më herët për Monitor në këtë tendencë më shumë luajnë rol elementet jashtë tregut sesa ato të brendshëm. “Në shumë raste gjenden hapësira përdoren për pastrim parash, si në investim edhe në blerje. Në qoftë se ne kemi këto çmime në rritje dhe vijim të shitjes do të thotë që fuqia blerëse ekziston, nëse kjo fuqi është e përqendruar në disa duar, janë po prapë elementë jashtë tregut”.

Edhe Juliana Nela, broker në agjencinë “Remax” është e mendimit që në këtë rritje të fortë po ndikojnë aktivitetet informale. “Vazhdimi i parave të çuditshme, patjetër që ka ndikimin më të madh në këtë përmbysje dhe çudi të tregut imobiliar. Paga të ulëta, emigracion masiv, metra katror ndërtimi pafund të hedhura në treg dhe çmimet rriten. Është e palogjikshme”, pohon ajo.

Pak ditë më parë, Shqipëria u fut sërish në listën gri të pastrimit të parave, nga e cila kishte dalë në vitin 2015. Lajmi u dha nga Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL, që është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës që ka detyrën të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar. Në këtë listë përfshihen juridiksionet që kanë mangësi strategjike në parandalimin e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar dhe rrezik të lartë si dhe janë nën monitorim të shtuar. Shqipëria është e vetmja nga Europa që shfaqet në këtë listë, së  bashku me Islandën. 

Elvis Koçi, drejtori i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave tha se problemet kryesore të ngritura nga Manyval ndër të tjera janë dhe vlerësimi i riskut i thelluar në disa profesione për mbikqyrje, përfshirë aktivitetet e real estate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat