Nis puna për nënkalimin te sheshi “Shqiponja”, Veliaj: Sot duhet ta kishim inauguruar; Shumica e qytetarëve do që vendi të ecë dhe beson te puna

Tirana

Nis puna për nënkalimin te sheshi “Shqiponja”, Veliaj: Sot duhet ta kishim inauguruar; Shumica e qytetarëve do që vendi të ecë dhe beson te puna

Më: 25 prill 2020 Në ora: 14:52
Pamje nga vendi i ngjarjes

Pas dy viteve bllokim, puna për projektin e nënkalimit te sheshi “Shqiponja” ka nisur me shpejtësi. Projekti parashikon nënkalim me korsi të dedikuara për autobusët, biçikletat, dhe i jep një rëndësi të veçantë gjelbërimit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot punimet dhe theksoi se falë angazhimit të të gjitha institucioneve, është bërë e mundur nisja e punës, për të hedhur pas krahëve bllokimin 2 vjeçar. “Kishim vullnetin të shkonim përpara me këtë projekt, ndaj i jam shumë mirënjohës kryeministrit, ministres së Transportit, të gjithë stafit, drejtorit të Rrugëve, sepse patëm një mobilizim të jashtëzakonshëm, edhe me mbështetjen e policisë, për të thyer një bllokadë pa kuptim. Në fakt, duke qenë se janë mbushur 2 vjet që kur filloi kjo histori, sot do të vinim për ta inauguruar.

Eshtë fatkeqësi e madhe sesi humbasim kohë dhe fillojmë punë atëherë kur duhet ta kishim mbyllur veprën. Ajo që dua të ilustroj me këtë është se, çfarë i bën shqiptari-shqiptarit, nuk ia bën as tërmeti, as virusi. Pra, jemi të këqinjtë e vetes. Nëse një minorancë shqiptarësh e ka ndarë mendjen që do të bllokojë punët, mund ta realizojë këtë, dhe dy vite u realizua. Megjithëatë, nuk dua ta mbajmë kokën pas, do ecim përpara”, tha ai.

Kreu i Bashkisë u shpreh se kjo është hera e parë i një bashkëpunimi të kësaj natyre, ku Bashkia bën projektin dhe qeveria bën investimin, që është edhe pjesa e luanit në gjithë këtë bashkëpunim. Teksa, nënvizoi se në të gjithë kantieret po punohet, Veliaj sqaroi edhe lëvizjen e automjeteve pasi të ndërtohet ky nënkalim.

“Ishte muzikë për veshët e mi të dëgjoja nga inxhinieri se do të mundohemi të rikuperojmë kohën e humbur, pra nga 2 vite, të ecim për 1 vit. Momentalisht po punojmë në 2 galeri nëntokësore, që do të jenë të mbuluara. Pra, kemi kaluar nga koncepti mbikalim, në konceptin nënkalim, pra ku makinat futen poshtë dhe nuk prishet as estetika e as pamja e qytetit. Një galeri është nga zona e Laprakës, Don Boskos, futet poshtë dhe del te Casa Italia, pa u përzier fare me trafikun për ata që kanë ndërmend të vazhdojë për në Durrës. Kurse tjetri vjen nga Casa Italia, te ish-terminali i vjetër, futet prapë galeria, vazhdon te Astiri dhe del aty ku rruga bëhet për pak minuta nga Fabrika e Miellit deri në Lundër. Kush e ka provuar atë rrugë nuk do të duhet kurrë të mbështeste një protestë të një minorance të zhurmshme”, tha Veliaj.

Masat kufizuese për lëvizjen e automjeteve si pasojë e COVID-19 kanë lehtësuar punimet në këtë segment. Por, Bashkia e Tiranës ka gati edhe një plan B, që parashikon një bypass në Mëzez për të dalë te Fabrika e Birrës.

“Qëndrimi në shtëpi e ka lehtësuar trafikun në Tiranë. Megjithatë, nëse në një periudhë afatshkurtër do të rikthehemi në trafikun e mëparshëm dhe nëse do të lirohet akoma më tej, në varësi sesi performon virusi në Tiranë dhe Shqipëri, do të duhet të përdorim edhe planin B, i cili është një bypass, aty ku kthehemi në Mëzez, në Kashar, për të dalë te Fabrika e Birrës”, sqaroi Veliaj.

Gjithashtu, Bashkia e Tiranës po vijon punën edhe për procesin e shpronësimeve. Veliaj u shpreh se pavarësisht pengesave artificiale të një pakice, shumica e qytetarëve dëshirojnë që vendi të ecë përpara dhe ky është momenti për të rikuperuar kohën e humbur. “Do të vazhdojmë të ecim me shpronësimet; kemi shumë pak që na kanë mbetur te ky Lot, disa të tjera te Loti i 2-të. Do të vijojmë me prishjet te Loti i 1-rë. Nuk besoj se është marrosur njeri, që pasi e shikon se çfarë pune po bëhet, të vazhdojë dhe ta përdorë politikisht. Unë them se shumë kauza që janë përdorur politikisht, duke filluar nga lodrat te Sheshi, te Pazari, te Kalaja, te Bulevardi i Ri, te Astiri, nesër te Teatri, janë kauza komplet artificiale. Shumica e njerëzve do që vendi të ecë përpara, beson te puna dhe beson që Shqipëria ka humbur shumë kohë ndër vite dhe se ky është momenti të rikuperojmë kohën e humbur”, tha Kryetari i Bashkisë, Veliaj.

Projekti i nënkalimit tek “Shqiponja” është një zgjidhje teknike për qarkullimin e automjeteve në këtë segment tepër të ngarkuar, në harmoni me mjedisin dhe zhvillimin urban të Tiranës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat