Tenderat e bashkisë Tiranë për maska dhe doreza me negocim dhe pa njoftim

Tirana

Tenderat e bashkisë Tiranë për maska dhe doreza me negocim dhe pa njoftim

Më: 6 maj 2020 Në ora: 16:47
Ilustrim

Kryebashkiaku Tiranës ankohet jo pak për monitorimin që mediat i bëjnë tenderave të tij, por në fakt format e dyshimta nuk mungojnë.

Përmes një procedure me negocim, pa njoftim është përzgjedhur kompania që do të përfitojë 14 milionë  lekë të reja dhe që do të furnizojë bashkinë me 100 mijë maska mbrojtëse, 100 mijë doreza plastike dhe 10 mijë copë shishe me alkool dezinfektues.

Çudia është se materialet do të vihen në dispozicion nga një kompani e cila objekt te punës së saj ka organizim eventesh, import - eksport, promocion, rikonstruksion, ndërtim kënde lojërash, aktivitete promocionale, research, organizime te ndryshme konferenca. Ende nuk dihet se si bashkia e Tiranës ka arritur të zbulojë pikërisht këtë kompani, pasi termi negocim parashikon që institucioni thërret një subjekt dhe i propozon tenderin për shkak të blerjes urgjente.

Por ajo çfarë e bën të dyshimtë edhe më tej është çështja se kompania Mare Services, ka shtuar në aktivitet dhe Linjë prodhimi materiale tekstile mjekësore. Import - eksport të materialeve tekstile mjekësore. Vendim që sipas QKR është bërë në datën 22 prill. Po në 29 prill bashkia shpall tenderin dhe në 30 mars publikon këtë kompani fituese.

Ndoshta edhe këtë radhë duhet të jetë SPAK që duhet të hedhë dritë të mëtejshme, për këto veprime apo dhe për formën që mes kompanive që kanë prej vitesh këtë objekt të veprimtarisë përzgjidhet një subjekt që sapo e shton në listë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat