Këshilli Bashkiak i Tiranës vulos shembjen e Teatrit Kombëtar - Bota Sot
Këshilli Bashkiak i Tiranës vulos shembjen e Teatrit Kombëtar

Tirana

Këshilli Bashkiak i Tiranës vulos shembjen e Teatrit Kombëtar

Më: 14 maj 2020 Në ora: 23:23
Foto ilustrim

Me emergjencë dhe në fshehtësi të plotës, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vulosur sot shembjen e Teatrit Kombëtar.

Mbledhja mësohet se është mbajtur në orën 13:00 të ditës së sotme, ndërkohë që ishte raportuar se do të mbahej të hënën e 18 majit.

Dokumenti mban firmën e kreut të Këshillit bashkiak, Toni Gogu.

Televizioni Ora ka siguruar projektvendimin e Këshillit Bashkiak si dhe akt-ekspertizën e ekspertëve të qeverisë, që arrijnë në konkluzionin se kjo godinë duhet të ishte shembur që në vitin 1958, pasi që atëherë përbënte rrezik.

Sipas materialit, të cilin Bashkia nuk e ka vënë në dispozicion zyrtarisht për mediat, godina është ndërtuar në vitin 1938 si një eksperiment duke ndërthurur drurin me betonin. Madje nënvizohet se këto objekte kanë afat shërbimi jo më shumë se 20 vite.

Një konstatim i çuditshëm ky i arritur në aktekspertizën e dorëzuar pikërsht në datën 13 maj 2020, vetëm 5 ditë pasi Qeveria e kaloi ndërtesën në pronësi të Bashkisë së kryeqytetit duke ia hequr kulturës.

E në fakt Teatri jo vetëm ka kaluar afatin e parashikuar, por i ka mbijetuar 82 viteve.

Madje për ekspertët ka një qëndrueshmëri sizmike të ulët, por as tërmeti 6.4 ballë i shkallës rihter nuk e lëvizi.

Një tjetër pretendim i Bashkisë është dhe për ndërhyrjet e shpeshta, ndërsa shtohet se betoni i përdorur është cilësi e ulët ndërsa hekuri jo i formës së kërkuar.

Gjë që në fakt duhet të kishin bërë që godina të ishte shembur vetiu shumë më herët.

Megjithatë një pikë konsiderohet e vërtetë dhe për artistët, kërkohet ndërhyrje për të ofruar standardet për shërbimin si për qytetarët dhe stafin.

Me marrjen në dorë të këtij aktekspertimi të hartuar me urgjencë, kryebashkiaku Veliaj ka parashikuar dhe se si do të ndërhyjë për shembjen.

Brenda 24 orëve nga votimi do të njoftohet drejtoria e policisë së Tiranës për të marrë masa që të sigurojë operacionin, kjo pasi relacioni kërkon ndalimin e hyrjes pasi godina paraqet rrezik.

E duket se me këtë veprim do të kthehen pamjet e ndërhyrjes së policisë me gaz lotësjellës si në rastin e Astirit.

Ndoshta sërish ndërhyrja do të realizohet para mëngjesit, por artistët premtojnë se do të jenë aty, ndërsa opozita e konsideron vijën e kuqe.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat